Policia sërish kërkon ndihmë për zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Kronika February 06, 2018 - 09:02

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, Besim Hoti, ka thënë se ende nuk ka asgjë konkrete lidhur me identitetin e vrasësit të mundshëm të Oliver Ivanoviqit, ndërsa ka siguruar se Policia do t’i hetojë edhe pretendimet e gazetarit serb Stefan Cvetkoviq, i cili ka apostrofuar një polic si vrasës të mundshëm të Ivanoviqit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Policia e Kosovës në veri u ka bërë sërish apel qytetarëve të pjesës veriore të Mitrovicës që të ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Policia thotë se nuk ka përparime lidhur me vrasësin e mundshëm të Oliver Ivanoviqit, ndonëse Grupi Punues, i cili është duke hetuar vrasjen e Oliver Ivanoviqit, është duke punuar pandërprerë.

Zëvendëskomandanti i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, kapiten Besim Hoti, ka thënë se hetimet janë duke u zhvilluar me vështirësi, andaj edhe Policia ka kërkuar sërish ndihmën e qytetarëve.

LEXO EDHE: Borxhi publik arrin në 1 miliard euro

“Apelojmë tek qytetarët që nëse kanë ndonjë informacion lidhur me rastin e vrasjen e Oliver Ivanoviqit të paraqiten në Polici dhe në mënyrë anonime me ta do t’i shkëmbejmë informacionet. Aktualisht jemi në fazën e hetimeve ku përpunohen të dhënat e deritashme që janë mbledhur, gjegjësisht të dëshmive të mbledhura, ndërsa në fazën e dytë të hetimeve Grupi Punues është i autorizuar ta hetojë rastin nën kompetenca të prokurorit. Nuk mund të them asgjë të re lidhur me hetimet, pasi që nuk kemi informacione konkrete rreth autorëve të vrasjes. Bëhet fjalë për diskrecion të policëve që janë duke punuar në njësinë e hetimeve, kështu që ne si menaxhment nuk kemi shumë qasje në informacione, gjë që është e kuptueshme për shkak të ndjeshmërisë së rastit”, ka thënë Hoti për "Zërin".

Hoti ka folur edhe për pretendimet e një gazetari serb, i cili në një konferencë me medie në Beograd ka treguar tri fotografi, në mesin e të cilëve, siç ka thënë ai, ndodhet vrasësi i Oliver Ivanoviqit.

Konferencën në Beograd e ka organizuar Shoqata e Gazetarëve të Serbisë me temën “Cila është kostoja e likuidimit në veri të Kosovës”, gjatë së cilës detajet për vrasjen e Ivanoviqit i ka paraqitur gazetari Cvetkoviq.

Cvetkoviq ka paraqitur një fotografi të një polici në uniformë, të një personi duke folur në telefon dhe fotografinë e një personi tjetër, për të cilët ka thënë se janë vrasësit e Ivanoviqit, apo që kanë lidhje me vrasjen e kryer në mëngjesin e 16 janarit të këtij viti para zyrave të SDP-së në veri të Mitrovicës.

Cvetkoviq ka thënë se gjatë hulumtimit është siguruar qasje edhe në kamerat e qytetarëve privatë në zonën ku ka ndodhur vrasja.

Duke folur për këtë zhvillim, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, kapiten Besim Hoti, tha se janë të informuar me pohimet e gazetarit serb, por që deri më tani nuk është arrestuar ende askush për vrasjen e Ivanoviqit.

“Nuk ka të arrestuar, hetimet janë duke shkuar me intensitet të shtuar dhe çdo pretendim i mundshëm do të jetë pjesë e hetimeve nga ana Grupit Punues. Kemi parë edhe raportimin e gazetarit serb, në të cilin apostrofohet edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës e ku shihen edhe policë të tjerë që kanë qenë në vend të ngjarjes. Ata kanë qenë në vendngjarje, ata kanë qenë në vendshikimin e rastit. Janë policë të Kosovës, të sektorit të hetimeve dhe sigurisht aty janë takuar në vend të ngjarjes pas rastit kur e kanë bërë shikimin e vendit të ngjarjes bashkë me njësitë policore. Të gjitha pretendimet do t’i hetojmë. Do t’i shikojmë mundësitë, por kemi bërë apel nga të gjithë qytetarët që çfarëdo informacioni që kanë ta adresojnë tek Policia e Kosovës dhe çfarëdo që flitet do të jetë pjesë e hetimeve”, ka thënë mes të tjerash kapiten Besim Hoti, zëvendësdrejtor i DR-së i Policisë së Kosovës në veri.

Të pakënaqur me rrjedhën e hetimeve janë shprehur në SDP, lider i së cilës ishte Oliver Ivanoviq.

Ksenija Bozhoviq, zëvendëskryetare e SDP-së dhe njëra prej bashkëpunëtoreve më të ngushta të Oliver Ivanoviqit, tha se ndonëse kanë kaluar 20 ditë nga vrasja ende nuk ka asnjë informatë për rrjedhën e hetimeve.

“Më duhet të kthehem në fillim kur Oliveri u vra, ne kemi thënë menjëherë se kemi përshtypjen se ka shumë spekulime dhe kemi shprehur dyshimet se vrasësi nuk do të gjendet kurrë. Tani edhe pas 20 ditëve nuk ka asgjë të re. Po frikohem se kishim të drejtë kur kemi thënë se vrasësi nuk do të zbulohet”, ka thënë Bozhoviq.

Në anën tjetër, kryeprokurori i Kosovës Aleksandër Lumezi ka deklaruar se Prokuroria ka dëshmi të caktuara për vrasjen e Ivanoviqit, por ka potencuar se edhe pavarësisht kërkesës së Prishtinës organet e drejtësisë së Serbisë nuk kanë dhënë informacionet që kanë për këtë vrasje.

“Kemi disa dëshmi që i kemi siguruar, por është e nevojshme të merren masa për zbulimin e identitetit të kryesit të veprës kriminale. Institucionet e Serbisë nuk po bashkëpunojnë me organet e drejtësisë së Kosovës për zbulimin e identiteti të vrasësit të Ivanoviqit. Ka pasur kërkesa edhe nga organet e Serbisë që të bashkëpunojmë. Ne kemi thënë se jemi të gatshëm t’i pranojmë të gjitha informacionet që eventualisht kanë për vrasjen e Ivanovqit, ashtu siç është paraparë me Ligjin për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Deri më tani nuk na kanë dhënë informata, ne po i presim”, ka thënë kryeprokurori Lumezi.

Ndryshe, Oliver Ivanoviq u vra me gjashtë plumba prapa shpine më 16 janar, rreth orës 8:15 minuta, para zyrës së partisë së tij.

Në të njëjtën ditë katër vjet më parë (2014) ishte vrarë bashkëpartiaku i Oliveri Ivanoviqit, Dimitrije Janiçijeviq, atëherë kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut. 

Vrasësi apo vrasësit e Janiçijeviqit nuk janë zbuluar kurrë.