I dyshuari për trafikim me organe do të ekstradohet në Rusi, e jo në Kosovë

Kronika February 05, 2018 - 20:17


I arrestuari në Qipro për trafikim organesh në Kosovë, Moshe Harel, përkundër kërkesës nga organet kompetente të Kosovës, përfundimisht do të ekstradohet për në Rusi.

Ky vendim është marrë sot nga një gjykatë në Qipro, e cila aprovoi kërkesën e Rusisë për ekstradimin e 75 vjeçarit nga Izraeli.

Vendimi vjen pasi që shteti rus i kishte dërguar dokumentet e nevojshme Ministrit të Drejtësisë, i cili të njëjtat i kishte dërguar në gjykatë, ku kjo e fundit vendosi që procesi i ekstradimit të Harel për në Rusi  të filloj më 21 shkurt, transmeton lajmi.net.

Këtë e ka konfirmuar për mediat qipriote edhe vet prokurorja e shtetit të Qipros, Marina Spiliotopoulou, e cila deklaroi se dokumentet e nevojshme për ekstradim janë pranuar nga Prokuroria Qipriote.

Ndryshe, Moshe Harel, i dyshuar si pjesëmarrës në njërin ndër rrjetin më të madh të trafikimit të organeve, ishte arrestuar edhe në Kosovë për këtë çështje, duke u dënuar nga një Gjykatë e EULEX-it me gjithësej tetë vjet burg.

I njëjti vendim ishte rrëzuar nga Gjykata e Apelit dhe më 2016 kishte nisur një proces  i ri gjyqësor për këtë çështje, e i cili është ende në Gjykatë.