Babai nuk mund ta shohë në Gjykatë video-incizimin e vrasjes së të birit

Kronika February 05, 2018 - 16:45

Për shkak se pas pak në sallën e Gjykatës do të transmetoheshin pamjet e kapura nga kamerat të momentit të vrasjes së dy të rinjve te Parku i Qytetit në Prishtinë, trupi gjykues e përjashtoi publikun nga salla.

Arsyetimi i trupit gjykues për përjashtimin e publikut ishte se pamjet që do të transmetohen janë të ndjeshme.

Babai i të ndjerit Eron Agaj, Enveri, vendosi të qëndronte në sallë, ndërsa babai i Arianit Gashit, Samiu, vullnetarisht e liroi sallën pasi që deklaroi se nuk mundet të qëndrojë për shkak të pamjeve të ndjeshme që përmbante video-incizimi.

Sipas aktakuzës Lulzim Idrizi me datë 29 gusht të vitit 2016 në Prishtinë në rrugën “Hamëz Jashari”, për shkak të një mosmarrëveshje rreth një borxhi me tani të ndjerin Eron Agaj, me dashje ka privuar nga jeta të njëjtin dhe shokun e tij Arianit Gashi. Këta të dy në vendngjarje kishin ardhur me motoçikletën e Gashit.

Vrasësi ka shtënë në drejtim të tyre me armë zjarri, i ka goditur disa herë nëpër pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast u ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, shkaku i të cilave i ndjeri Eron Agaj ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa i ndjeri tjetër Arianit Gashi në QKUK.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Lulzim Idrizi me anë të këtyre veprave penale ka kryer dy vepra penale, atë të vrasjes së rëndë si dhe të armëmbajtjes pa leje.

Gjatë seancave të kaluara dëshmitarët okularë kanë treguar hollësi nga momenti i vrasjes së dy të rinjve.

Në mesin e dëshmitarëve që dëshmuan në këtë rast ishin edhe baballarët e dy viktimave. /kallxo.com/