Plagët e fshehura të burrave të dhunuar nga forcat serbe

Kronika February 03, 2018 - 12:20

Shumë burra të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë, vazhdojnë të jetojnë me plagë të fshehura nga frika se nuk do të pranohen apo do të përbuzen nga shoqëria.

Edhe pothuajse pas dy dekadave ende ka shumë pak informacione për burrat që kanë përjetuar torturë seksuale nga forcat serbe.

Përpjekjet për të zbutur gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen viktimat, sikundër edhe tendencat për krijimin e një klime që kjo kategori ta gjejë kurajon dhe përkrahjen e shoqërisë, nuk kanë rezultuar gjithaq të suksesshme.

Feride Rushiti, Drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, tha për AktivPress se kjo po ndodhë për shkak të mendësisë patriarkale ku koncepti tradicional i “nderit dhe krenarisë” për familjen i bie burrit në shtëpi.

“Dhunimi si armë lufte bart konsekuenca të mëdha si në rrafshin shëndetësor, psikologjik e po ashtu social jo vetëm te viktima por edhe te familja. Shumë nga ata që mbijetuan këtë tmerr lufte  jetojnë me ndjenjën e fajit për të kaluara e tyre, të pashëruar e zemëruar dhe shumë herë të pafuqishëm për të ndërmarrë veprime duke mbetur të heshtur dhe izoluar”, tha Rushiti.

“Duke jetuar në një shoqëri patriarkale ku koncepti tradicional i “nderit dhe krenarisë” për familjen i bie burrit në shtëpi, e bënë edhe më të rëndë gjendjen e burrave të mbijetuar nga dhuna seksuale  duke e thelluar edhe më tej vuajtjet apo barrierat për të kërkuar ndihmë”, shtoi ajo.

Rushiti e pranon se ka mungesë të diskutimeve dhe fushatave vetëdijësuese për burrat dhe djemtë e dhunuar.

Mirëpo, ajo shpreson se do të krijohet një klimë mirëbesimi ku të gjithë do të aplikojnë  për pensione dhe do të mund të gëzojnë të drejtat që ju takojnë me ligjin e miratuar në nëntor të vitit të kaluar.

“Është e vërtetë se ka mungesë të informatave, diskutimeve për burrat dhe djemtë e dhunuar gjatë luftës. Në diskursin publik më shumë janë trajtuar gratë si viktima të dhunës seksuale. Por mendoj se tani më kjo heshtje është thyer dhe shoqëria ka ecur tutje dhe duke pasur edhe mbështetjen institucionale edhe burrat dhe djemtë që kanë përjetuar përvoja të tmerrshme gjatë luftës duhet të inkurajohet që t’i gëzojë të drejta e tyre sikurse edhe kategoritë e tjera të dala nga lufta”, deklaroi Rushiti.

“Prandaj ne si organizata që punojmë direkt më të mbijetuarit duhet më shumë t’i adresojmë edhe këtë çështje përmes fushatave vetëdijësuese për të krijuar një klimë mirëbesimi në shoqëri që edhe grup i ndjeshëm që bart plagë shpirtërore të përfitojë nga mundësitë që tani ju ofron me legjislacionin vendor”, shtoi ajo për AktivPress.

Para dy vjetësh, një burrë ka vendosur të flas për media për dhunën seksuale që ka përjetuar gjatë luftës. Në kushte anonimiteti për Evropën e Lirë, ai ka rrëfyer në detaje ngjarjen duke përmendur edhe emra që kanë ushtruar dhunë ndaj tij.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, të shoqatave, të shoqërisë civile dhe ambasadorë të huaj kanë kërkuar që të mos margjinalizohet kjo kategori.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Conell, ka thënë se një numër i madh i të mbijetuarve nuk e ka përkrahjen e merituar, duke shtuar se është e papranueshme pasi që, sipas tij, duhet të ketë drejtësi për këta të mbijetuar.

Sikurse ambasadori edhe përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, tha se si shoqëri duhet të heqim stigmatizimin për këta persona.

Përveç frikës nga shoqëria, të përdhunuarit gjatë luftës në Kosovë ndihen të pashpresë edhe për drejtësi. Kështu të paktën u tha në raportin e fundit të Amnesty International.

Mbi 20 mijë llogaritet të jetë numri i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kjo kategori nga 5 shkurti, do të mund të aplikojnë pranë komisionit profesional qeveritar për njohjen e statusit, ku do të përfitojnë një pension mujor prej 230 euro.