Deputeti i LDK-së sërish në gjyq për privatizimin e fabrikës

Kronika January 23, 2018 - 23:23

Në gjykimin e deputetit Naser Osmani si dhe shtatë personave të tjerë, të cilët janë të akuzuar në lidhje me privatizimin e fabrikës “Fan” në Podujevë, u dëgjuan dëshmitarët Reshat Fetahu e Njazi Jonuzi.

Reshat Fetahu deklaroi se prej vitit 2009 ka qenë në pozitën e drejtorit të zyrës ligjore në Agjencinë e Privatizimit të Kosovës.

I pyetur nga prokurorja Fikrije Fejzullahu se cilat ishin detyrat e tij si drejtor i zyrës ligjore në raport me bordin e AKP-së, dëshmitari tha se në pozitën e drejtorit të departamentit ligjor ishte i thirrur që bordit t’i japë këshilla dhe rekomandime.

“Në raport me bordin e AKP-së siç shkruhet edhe në kontratë unë shërbej si këshilltar i cili sipas kërkesës së bordit, bordit i jap këshilla dhe rekomandime”, tha Fetahu.

Dëshmitari deklaroi se ai ka marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e bordit ndonëse nuk ka qenë e detyrueshme dhe vetëm në rast nevoje ka raportuar në lidhje me ndonjë detyrë që i ishte dhënë më parë.

“Në mbledhje unë thjesht kam pritur nëse ka ndonjë çështje me u ngrit nga anëtaret e bordit ose nëse nga ndonjë mbledhje paraprake na është dhënë ndonjë detyrë për opinion ligjor atëherë kam raportuar në lidhje me atë detyrë”, deklaroi ai.

Tutje dëshmitari u pyet nëse kishte njohuri për privatizimin e ndërmarrjes “FAN”, për çka tha se njohuritë e tij sa i përket kësaj çështjeje janë vetëm nga perspektiva e dhënies së opinionit ligjor.

“Njohuritë e mija lidhur me këtë privatizim lidhen vetëm në perspektiven e opinionit ligjor të cilën e kemi paraqitur në ndërmarrjen “FAN” dhe kjo ka qenë edhe involvimi ynë si departament në këtë çështje”, tha dëshmitari.

Lidhur me këtë opinion ligjor ai tha se nga zyra e monitorimit kishte pranuar një kërkesë për dhënien e opinionit në lidhje me ndërmarrjen “FAN” nëse konsiderohet si investim kapital blerja e fabrikës në Gjilan përmes privatizimit.

“Ka ardhur një kërkesë për dhënien e mendimit juridik, sa më kujtohet ka qenë njësia e monitorimit ndërsa pyetja ka qenë se në bazë të kontratës/marrëveshjes së zotimeve të ndërmarrjes së re “FAN”, a mund të pranohet ose a konsiderohet si investim kapital blerja përmes privatizimit e fabrikës së bukës “Kualiteti” në Gjilan”, tha ai.

Dëshmitari tha se pas analizimit të kontratës së FAN-it kanë ardhur në përfundim se kjo blerje në Gjilan (blerjet jashtë zonës gjeografike), nuk mund të konsiderohet si investim kapital dhe se këtë opinion e kanë dorëzuar edhe me shkrim.

E në lidhje me këto opinione ligjore, dëshmitari tha se nuk kanë ndonjë fuqi ekzekutive.

“Ky është mendim juridik, është opinion. Departamenti ligjor nuk ka ndonjë fuqi ekzekutive/autoritet brenda AKP-së”, shtoi ai.

Kurse mbrojtësi i Naser Osmanit, avokati Besnik Berisha dëshmitarin e pyeti nëse ishte në dijeni se në mbledhjen e bordit kur është vendosur lidhur me ndërmarrjen “FAN” kanë qenë prezentë edhe tre anëtarë ndërkombëtarë.

“A jeni në dijeni se në mbledhjen kur është vendosur për lirimin e ndërmarrjes së re “FAN” nga spinoffi special se kanë qenë prezentë së paku tre anëtarë të bordit ndërkombëtar”, e pyeti avokati Berisha dëshmitarin.

Gjë për të cilën dëshmitari tha se ka qenë në dijeni.

Më pas avokati e pyeti dëshmitarin nëse mendimi i shumicës së anëtarëve të bordit duke përfshirë këtu edhe këta tre anëtarëve ndërkombëtarë, ishte që të pranoheshin këto investime në mënyrë që më tutje t’i hapej rruga investitorit ta zhvillojë ndërmarrjen.

Të cilën gjë po ashtu e pohoi dëshmitari.

Ndërsa mbrojtësi i Shkelzen Llukës, avokati Florent Latifaj dëshmitarin e pyeti nëse i mbrojturi i tij kishte marrë pjesë në mbledhjet e bordit dhe nëse ai kishte pasur ndonjë rol vendimmarrës.

Në lidhje me çka dëshmitari u përgjigj shkurt me “Jo”.

Më pas u dëgjua edhe dëshmitari Njazi Jonuzi, i cili tha se është auditor ligjor dhe pronar i kompanisë “Trendbiz”.

Ai kryesisht u pyet në lidhje me raportin të cilin e kishte hartuar rreth auditimit të ndërmarrjes “FAN”.

Në lidhje me auditimin e kësaj kompanie, dëshmitari tha se ka qenë në bashkëpunim edhe me dy kompani të tjera, pra kanë qenë tri gjithsej: kontaudit-trendbiz-etika.

Dhe tha se auditimin e ka kryer kompania Etika.

“Unë kam qenë koordinator i këtij konsorciumi. FAN-in e kanë audituar kolegët nga Etika, Fatmir Mehmeti pronar dhe Fadil Hyseni auditor.

Më pas avokati Arianit Koci dëshiroi të dinte nga dëshmitari se si kishin ardhur te shuma përfundimtare në raportin final.

E dëshmitari në lidhje me këtë shumë tha se atë vlerë vetëm e kanë përshkruar pasi që auditimin paraprak e ka bërë kompania “Grandthorton”.

Gjithashtu ai tha se gjendjen në këtë raport e kanë pasqyruar vetëm në bazë të dokumenteve të cilat ndërmarrja “FAN” i ka paraqitur.

Pastaj ai u pyet nga avokati Besnik Berisha se nëse do të kishin pasur më shumë dokumente në posedim a do të mund të ndryshonte diçka në raportin final.

“Nuk besojë që kish ndryshu, por nuk do të thotë se nuk mundet”, u përgjigj dëshmitari Njazi Jonuzi. /Kallxo.com/