Sëmuret një i akuzuar për terrorizëm, gjyqi shtyhet për në mars

Kronika January 23, 2018 - 16:10

Mungesa e të akuzuarit, Bekim Halili, është bërë shkak i shtyrjes së seancës kundër tij dhe të akuzuarve tjerë, të cilët ngarkohen për vepra penale që lidhen me terrorizmin.

Mbrojtësi i të akuzuarit Halili, avokati Betim Shala, ka njoftuar gjykatën se është njoftuar nga klienti i tij se ai është i sëmurë dhe nuk mund të prezantoi në këtë seancë.

Avokati Shala, lidhur me këtë ia ka dorëzuar gjykatës edhe dokumentacion mjekësor.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Qerkini, seancat e ardhshme për këtë rast i ka caktuar të mbahen më 5 dhe 9 mars 2018.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm ngarkon Kujtim Bytyqin, Hadi Nurën, Besim Shabanin, Betim Ibrahimaj, Adil Bushin, Egzon Latifin, Jatmir Bushin, Artan Kadriun Bekim Halilin, Zejadin Berisha dhe Jeton Hajdini.

Gjykimi po zhvillohet vetëm ndaj gjashtë të akuzuarve, pasi procedura ndaj Betim Ibrahimaj është veçuar për shkak se i njëjti gjendet në arrati, kurse Kujtim Bytyqi, Adil Bushi, Jetmir Bushi dhe Zejadin Berisha kanë pranuar fajësinë.

Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili, Zejadin Berisha dhe Jeton Hajdini, akuzohen se në periudha të ndryshme kohore, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, kanë udhëtuar për në Turqi, e më pas për në Siri, ashtu që kanë kryer stërvitjet ushtarake dhe fizike si pjesë e organizatës terroriste “ISIS”.

Sipas aktakuzës, Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Bekim Halili,Zejadin Berisha dhe Jeton Hajdini kanë luftuar në Siri për një kohë, e më vonë janë kthyer në Kosovë. Me këtë, ata konsiderohet se kanë kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste.

Artan Kadriu, sipas aktakuzës, në kohën prej muajit shtator të vitit 2013, deri në muajin shkurt të vitit 2014, me qëllim që t’i bashkohet grupit terrorist “ISIS”, kishte udhëtuar për Turqi. Mirëpo, i njëjti nuk kishte arritur të shkoi në Siri pasi që i ishte ndaluar hyrja në Turqi nga ana e autoriteteve turke, të cilat e kishin kthyer të akuzuarin Kadriu në Prishtinë.

Kurse, Kujtim Bytyqi, akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve, kurse për këtë vepër penale akuzohen edhe Zejadin Berisha dhe Bekim Halili. /betimipërdrejtësi/.