Detaje tronditëse nga krimi i djeshëm në qendër të Tiranës

Kronika January 22, 2018 - 09:12

Refuzimi i një dashurie të hershme nga vajza dhe familja e saj, dyshohet të ketë qenë shkaku i krimit të rëndë, që ndodhi dje në Tiranë.

Dy studentët, si djali edhe vajza, kishin përfunduar shkollën e mesme në Zharrëz të Fierit, në gjimnazin “Sotir Çapo”, aty ku kishte lindur edhe dashuria e Aldison Belulajt për vajzën 2 vjet më të vogël, Ariela Murati, shkruan “Panorama”. 

Megjithatë, ai ishte refuzuar vazhdimisht nga 21-vjeçarja, që sipas miqve, kishte si qëllim parësor rezultatet e mira në mësime, duke mos dashur që të krijonte lidhje dashurie.

Aldisoni ishte larguar nga Zharrëza dy vite para Arielës, pasi filloi studimet për infermieri. Por, ai vazhdonte të këmbëngulte në dashurinë e tij, duke i kërkuar lidhje herë pas here. E megjithatë, vajza vazhdonte ta refuzonte, edhe pasi u zhvendos edhe vetë në Tiranë, kur filloi studimet për drejtësi në vitin 2015.

Prej më shumë se 2 vjet, dy të rinjtë jetonin në Tiranë dhe kjo për Aldisonin ishte parë si një mundësi e mirë për ta bindur Arielën që të nisnin një histori dashurie. Por as kjo nuk kishte ndodhur, pasi vajza vazhdonte ta refuzonte.

Mikeshat dhe motra e viktimës, që janë marrë dje në pyetje nga Policia, kanë treguar se në historinë e njëanshme të dashurisë kishin ndërhyrë edhe familjarët e vajzës, të cilët i kishin kërkuar 23-vjeçarit që të mos e ngacmonte më vajzën e tyre, pasi ishte kthyer në një shqetësim për të.

HISTORIA E DASHURISË

Ndonëse ishte refuzuar në vazhdimësi nga Ariela Murati, infermieri i ri, Aldison Belulaj, duket se ishte i vendosur deri në vdekje që të mos hiqte dorë nga dashuria e tij. Një histori dashurie, që të paktën për të, kishte nisur që në gjimnazin e Zharrëzës.

Të dy nxënës shumë të mirë dhe me shumë ëndrra, por që fatkeqësisht u prenë në mes dje në Tiranë. Mikeshat e ngushta të viktimës, kanë dhënë deklarimet e tyre dje në Komisariatin nr.4, ku kanë treguar se Ariela përndiqej prej vitesh nga Aldison Belulaj, por ai ishte i vendosur që të mos hiqte dorë prej saj.

Madje, edhe pse familjarët e vajzës i kishin kërkuar që të mos e shqetësonte e të mos e bezdiste më, ai së fundmi kishte vendosur që t’i bënte gjërat serioze dhe familjare. Ai kishte shkuar edhe te shtëpia e saj, ku kishte kërkuar dorën te prindërit e vajzës, por ata nuk kanë qenë dakord duke marrë në konsideratë edhe refuzimin e vazhdueshëm të së bijës.

Shoqet e viktimës kanë pohuar në Polici se pasi mori përgjigjen e fundit negative nga familja e vajzës dhe nga ajo vetë, së fundmi ai kishte nisur ta kërcënonte. Kërkonte me doemos që të niste një lidhje dashurie me të.

Në fshatin Zharrëz të Fierit, Aldison Belulaj njihej si djalë i urtë dhe jo problematik. Pasi përfundoi studimet për infermieri në Tiranë, ku kreu edhe praktikën, ai kishte nisur edhe punë si infermier. Ndërsa vajza që dashuronte, ndiqte studimet në Fakultetin e Drejtësisë, në vitin e tretë.