Të hënën raporti nga kamerat e sigurisë për rastin Ivanoviq

Kronika January 19, 2018 - 15:28

Të hënën pritet të publikohen rezultatet e ekzaminimit të kamerave të sigurisë në vendin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, në Mitrovicën veriore.

Lajmin për kallxo.com e konfirmoi kryeprokurori për rajonin e Mitrovicës, Shyqeri Syla, i cili tha se të hënën pritet një raport i gjerë për rastin.

“Jemi duke punuar intensivisht në hetimin e rastit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Të hënën presim rezultatet e ekzaminimit të kamerave të sigurisë, ekzaminimit të veturës dhe raportin e mjekësisë ligjore. Janë intervistuar disa dëshmitarë, por nuk mund të flas me shifra”, tha Syla.

Ivanoviq u vra mëngjesin e së martës me disa plumba në afërsi të zyrës së tij në Mitrovicën veriore. Vdekja e tij ngjalli reagime nga zyrtarë të lartë shtetërorë të Kosovës, Serbisë dhe të komunitetit ndërkombëtar.