Qeveria e Kosovës nuk e përkrah përfshirjen e Serbisë në rastin “Ivanonoviq”

Kronika January 19, 2018 - 08:32

Qeveria e Kosovës nuk ka marrë kërkesë zyrtare për përfshirjen e Serbisë në rastin “Ivanoviq”, por në këtë rast këta të fundit nuk do të lejojnë që askush të interferojë në punët e brendshme të shtetit të Kosovës, të paktën kështu ka bërë të ditur për “Zërin” Halil Matoshi, këshilltar për medie i kryeministrit Ramush Haradinaj, shkruan sot Gazeta 'Zeri'.

Por njësoj nuk ka vepruar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili në një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë Aleksander Vuçiq ia pranoi atij se në përputhje me legjislacionin në fuqi mund të ndihmohet nga shteti serb për ta zbardhur vrasjen e Ivanoviqit.

Ndërsa kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq vazhdon t’u qëndrojë pas deklaratave ku thotë që shteti serb ka kërkuar përfshirje në rastin “Ivanoviq” dhe një gjë të tillë e ka kërkuar edhe nga misionet ndërkombëtare si UNMIK-u dhe EULEX-i. Por Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, pas këtyre kërkesave është përgjigjur duke thënë se këto vendime i merr Qeveria e Kosovës e jo ata, shkruan Zeri.

Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme të Kosovës përmes një deklarate të përbashkët janë shprehur të hapur ndaj gatishmërisë së institucioneve të Republikës së Serbisë për të ofruar ndihmë juridike në zgjidhjen sa më të shpejtë të rastit.

Qeveria: Askush nuk do të interferojë në punët e brendshme të Kosovës

Pas kërkesës së vazhdueshme të Serbisë për t’u përfshirë në hetimet për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq, Qeveria e Kosovës për “Zërin” ka bërë të ditur se nuk do të lejohet përfshirja e askujt përpos mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Përveç mekanizmave relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, nuk do të lejojmë që askush të interferojë në punët e brendshme, por vetëm aleatët e saj strategjikë dhe kryeministri për këtë ka kërkuar që nëse është nevoja dhe nëse ka pajtueshmëri për këtë mund të vijë edhe FBI-ja që të hetojnë rastin e Ivanoviqit”, ka thënë Matoshi.(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Gazetës Zëri si dhe në versionin Online me parapagim në online.zeri.info)