KMDLNj: 49 viktimat shqiptare të Oliver Ivanoviqit

Kronika January 18, 2018 - 12:32

KMDLNj e ka quajtur të papranueshëm propozimin që një delegacion i Kuvendit të Kosovës të marrë pjesë në varrimin e Oliver Ivanoviqit.

Në një reagim për media thuhet se KMDLNj e ka akuzuar Oliver Ivanoviqin për vrasjen e 39 shqiptarëve gjatë luftës si dhe vrasjen e 10 shqiptarëve, pas përfundimit të luftës.

Për ta sqaruar opinionin për rolin e Oliver Ivanoviqit me këto krime KMDLNj ofron këto dëshmi që i ka dorëzuar në prokurori të UNMIK –ut dhe EULEX-it.

KMDLNJ përkujton se më 14.04.1999, Ivanoviq , i uniformuar si polic rezervistë dhe me përgjegjësi komanduese në Rrugën e Kovaqëve ka urdhëruar vrasjen e 31 civilëve shqiptarë. Më 16.04.1999 po në të njëjtën cilësi dhe përgjegjësi, tek Ura e Gjakut ka urdhëruar vrasjen e 8 shqiptarëve.

Më 3 dhe 4.02.2000, eskadronet vrastare paramilitare dhe policore serbe të udhëhequra nga Rojat e Urës ku Oliver Ivanoviq ka qenë figura qendrore kanë vrarë 10 civilë shqiptarë dhe me dhunë kanë shpërngulur 1564 familje , me 11.364 anëtarë, pjesa dërmuese e të cilëve kanë qenë shqiptarë por ka pasur edhe pjesëtarë të pakicës boshnjake dhe turke, thuhet më tej në reagim.

Para se të ekzekutohej Oliver Ivanoviq ka qenë i sulmuar 3 herë nga persona të panjohur e që nuk janë zbuluar kurrë.

Herën e parë i është vënë flaka veturës së Oliver Ivanoviqit.

Herën e dytë është sulmuar me bombë duke e hedhur në oborrin e shtëpisë kurse,

Herën e tretë është gjuajtur me armë zjarri.

Pas denoncimeve të vazhdueshme për përgjegjësinë për krime lufte të Oliver Ivanoviqit, me 23.04.2013, koordinatori i Q. R të KMDLNj –së në Mitrovicë, z. Halit Barani është ftuar në EULEX dhe ka dhënë deklaratë dhe ka ofruar prova pas së cilës është arrestuar Oliver Ivanoviq i cili , pastaj, nga Gjykata Themelore u dënua me 9 vite burg dhe pas një presioni të madh të Serbisë dhe mbase me ndonjë marrëveshje politike rasti u kthye në rishqyrtim , me vendim të Gjykatës së Apelit.

Pas ekzekutimit të Oliver Ivanoviqit u përhap një dezinformatë se vetura e tipit Opel Astra është gjetur e djegur në Lagjen e Boshnjakëve, e banuar me shqiptarë kurse, në të vërtetë, vetura u gjet në Lagjen 7 Shtator që shpie në drejtim të Zveçanit.

Për KMDLNj –në është shumë me rëndësi të zbulohen dhe të sillen para drejtësisë kryerësit e këtij krimi në mënyrë që të hiqen dilemat dhe spekulimet sikur edhe të zbardhen motivet e këtij krimi.

Për KMDLNj-në është i papranueshëm propozimi që një delegacion i Kuvendit të Kosovës të marrë pjesë në varrimin e Oliver Ivanoviqit sikur edhe evokimi i kujtimeve për pirje kafe me të në kohën kur ndaj Ivanoviqit ishin bërë publike akuzat për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë.

Në këtë kontekst KMDLNj kërkon drejtësi për viktimat, në rastin konkret për 49 viktimat shqiptare.

“Oliver Ivanoviq nuk ka qenë i vetëm në këto aktivitete kriminale dhe KMDLNj ka denoncuar me fakte edhe persona të tjerë të cilët do të duhej të trajtohen nga Gjykata Speciale. Amnistimi dhe glorifikimi i figurës së Oliver Ivanoviqit që po portretizohet si personazh pozitiv dhe si viktimë krijon mundësi që edhe të tjerët, kriminelët e tyre t’i paraqesin si heronj e që për KMDLNj është e papranueshme, e pamoralshme dhe e dënueshme”, thekson KMDLNJ.

Oliver Ivanoviq, gjatë luftës ka qenë udhëheqës i policisë rezerviste të Serbisë që ka kryer shumë masakra anekënd Kosovës, kurse pas luftës ka qenë njëri ndër themeluesit e Rojave të Urës apo paramilitari vrasës i Dolce Vitas.

Këto janë fakte që KMDLNj i ka mbështetur me deklarata të të mbijetuarve të masakrave që i ka bërë Oliver Ivanoviq, me policët që i ka komanduar edhe paramilitarët e Serbisë , pas përfundimit të luftës.

“Nëse tregohemi të mëshirshëm ndaj kriminelëve, atëherë po i vrasim viktimat për herë të dytë dhe po e përligjim mos ndëshkueshmërinë e cila do të inkurajojë ata që edhe në të ardhmen planifikojnë të bëjnë krime lufte apo krime kundër njerëzimit”, përfundon reagimi.