Arrestohet gjakovari për falsifikim të dokumenteve dhe mosmbajtje të burgut

Kronika January 18, 2018 - 08:47

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar A.Th. 31-vjeçar nga Gjakova, pasi që ai  posedonte dokumente të falsifikuara, transmeton Zeri.info.

Pas verifikimit, sipas policisë, i njëjti rezulton që është i kërkuar nga autoritetet kosovare për dënimin në mungesë prej 4 vjet e gjashtë muaj burg për vjedhje me dhunë.

“Shërbimet e Policisë Kufitare  si dhe Specialistët për Hetimin e Krimit  në Komisariatin e Policisë- Rinas, kanë  bërë ndalimin e shtetasit kosovar të shpallur në kërkim nga Policia Kosovare, konkretisht: A.Th., 31 vjeç, lindur dhe  banues në Gjakovë. Shtetasi i lartpërmendur  ishte  kthyer në kategorinë deportiv nga autoritetet policore Zvicerane me motivin se kishte kaluar afatin e qëndrimit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Shqipërisë tani e ngarkon kosovarin edhe për veprën penale “falsifikim i vulave, stampave dhe i formularëve”, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.

Shtetasi A.Th.,  u transferua në Pikën e Kalimit Kufitar në Morinë tek autoritetet kosovare për veprime të mëtejshme, përcjell Zeri.

Sipas policisë, ai dispononte si dokument identifikimi një pasaportë biometrike Shqiptare në emër të një shtetasi tjetër nga Shqipëria  por me fotografinë e tij, pasaportë që e kishte bërë në Shqipëri në vitin 2011, kundrejt shumës prej 2000 euro.

“Gjatë procedurave të intervistimit nuk ishte bindës në lidhje me gjeneralitetet e pasaportës dhe pas verifikimeve të hollësishme rezultoi se ky shtetas ishte nga Kosova dhe jo nga Shqipëria. Pas verifikimit të gjeneraliteteve të sakta, rezultoi se ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi Gjykata e Gjakovës e kishte dënuar në mungesë me 4 vite e 6 muaj burg për veprën penale “Vjedhje me dhunë””, ka njoftuar policia./ZERI.