Detaje të reja në rastin e gjykimit të Azem Sylës

Kronika January 17, 2018 - 12:22

Rasti ku i akuzuar është ish deputeti i PDK-së, Azem Syla, dhe 21 persona të tjerë, rrezikon të hyjë në një rrugë të pafund, pasi EULEX ka tërhequr kërkesën nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) për caktimin e gjyqtares së Apelit, Nora Bllaca, në trupin gjykues.

Kryetari i trupit gjykues të EULEX-it, Arcadius Sedek, në seancën e 9 janarit e cila dështoi të mbahet, tregoi se EULEX kishte parashtruar një kërkesë në KGJK për të caktuar gjyqtaren Nora Bllaca në trupin gjykues të EULEX që do ta gjykojë rastin e Azem Sylës, mirëpo KALLXO.com merr vesh se kjo kërkesë është tërhequr nga EULEX.

Kërkesa për caktimin e gjyqtares Bllaca ishte bërë pasi që Bllaca ishte gjyqtarja e vetme e cila kishte qenë pjesë e panelit të gjyqtarëve në rastin e mundësinë së veçantë hetuese ku në më shumë se 20 seanca ishin dëgjuar dy dëshmitarë të mbrojtur.

Kodi i Procedurës Penale të Kosovës parasheh që njëri nga gjyqtarët që merr pjesë në mundësinë e veçantë hetuese nëse ngritet aktakuza, emërohet kryetar i trupit gjykues apo anëtar.
Në këtë rast, sipas njoftimit të gjyqtarit Sedek, gjyqtarja Nora Bllaca ishte gjyqtarja që duhej t’i bashkohej trupit gjykues për ta gjykuar Azem Sylën.
Por, gjyqtarja Bllaca në ndërkohë, nga seanca fillestare deri në shqyrtimin kryesor ishte avancuar në Gjykatën e Apelit dhe kjo kishte pamundësuar që ajo të jetë pjesë e trupit gjykues.
Për ta zgjidhur këtë dilemë, EULEX fillimisht i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit e më pas edhe KGJK-së, nga ku më pas e kishte tërhequr kërkesën.
Lajmin për tërheqjen e kërkesës për KALLXO.com e konfirmoi kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi.
“EULEX kishte parashtruar një kërkesë lidhur me gjyqtaren Nora Bllca por ajo kërkesë është tërhequr më datë 11 janar dhe tani EULEX ka kërkuar caktimin e një gjyqtari të ri në këtë rast nga Gjykata Themelore e Prishtinës”, tha Idrizi.
KALLXO.com kontaktoi me kryetaren e  Gjykatës Themelore të Prishtinës, Aferdita Bytyqi, e cila konfirmoi se ka aprovuar kërkesën e EULEX-it për caktimin e një gjyqtari të ri në këtë rast.
Lidhur me këtë situatë KALLXO.com kishte raportuar javë më parë se si rrezikohej që dy dëshmitarët e mbrojtur të dëgjoheshin përsëri për shkak të çështjes me gjyqtaren Bllaca.KALLXO.com lidhur me rastin i ka dërguar pyetje edhe EULEX-it por ende nuk ka pranuar përgjigje.
Në anën tjetër, njëri nga avokatët e rastit, Tomë Gashi, thotë se ende nuk ka pranuar asnjë njoftim nga EULEX lidhur me zhvillimet rreth gjyqtares Bllaca por thotë se nëse ajo nuk është në trup gjykues, patjetër se dy dëshmitarët e mbrojtur duhet të dëgjohen përsëri.
Megjithatë, Gashi thotë se sikur trupi gjykues të propozonte leximin e deklaratave të dy dëshmitarëve të mbrojtur nuk do ta kundërshtonte një propozim të tillë.