Deputetët e 'Vetëvendosjes' dënohen me 5 vjet burg me kusht

Kronika January 04, 2018 - 08:20

Gjykata Themelore e Prishtinës gjatë ditës së djeshme ka shpallur aktgjykimin për 4 deputetët e “Vetëvendosjes” të akuzuar për hedhjen e gazin lotsjellës në Kuvend.

Gjykata i shpalli ata fajtorë, duke i dënuar kështu me gjithsej 5 vjet dënim me kusht, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ky dënim është dhënë me kusht me periudhë verifikimi 2-vjeçare, kështu që deputetët nuk do të detyrohen ta vuajnë dënimin me burg, përveç nëse brenda periudhës 2-vjeçare përsërisin veprën e njëjtë.

LEXO EDHE: Selimi: 'Vetëvendosja' do të votojë pro shfuqizimit të Speciales

Por, pavarësisht kësaj, zyrtarë të lëvizjes “Vetëvendosje” kanë konsideruar se një veprim i tillë është politik dhe i padrejtë.

Madje, siç thonë ata, qëllimi i vetëm i këtij dënimi ishte vetëm të kriminalizohet protesta e tyre kundër asociacionit dhe Demarkacionit.

Për përdorim të armës deputeti Albin Kurti është dënuar me 1 vit e 3 muaj burg, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burg. Dënimi unik: 1 vjet e 6 muaj burg, shkruan tutje "Zëri".

Deputetja Albulena Haxhiu për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 2 muaj burgim.

LEXO EDHE: Ikën kryetari, partia drejt ndarjes

Për pengim të personit zyrtar me 4 muaj. Dënimi unik: 1 vit e 3 muaj.

Donika Kadaj-Bujupi për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 3 muaj, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burgim. Dënimi unik: 1 vit e 6 muaj.

Ndërsa deputeti Faton Topalli për përdorim të armës është dënuar me 1 vit burgim dhe për pengim të personit zyrtar me 3 muaj burg. Dënimi unik: 1 vit e dy muaj.

Deputetët e akuzuar nuk morën pjesë në seancë

Gjatë shpalljes së vendimit të aktgjykimit të tyre deputetët e “Vetëvendosjes” nuk ishin të pranishëm në sallë, kjo për arsye se, siç thanë ata, ky gjykim është plotësisht politik.

Ajo që lajmëroi për mospjesëmarrjen e deputetëve në seancë ishte deputetja Albulena Haxhiu, e cila gjatë ditës së martë, përmes një statusi në “Facebook”, paralajmëroi se ata nuk do të shfaqen fare, kjo për arsyeje se ata konsiderojnë që ky aktgjykim i tëri është politik.

“Ne, deputetët e akuzuar, nesër nuk do të jemi në seancë për të dëgjuar një aktgjykim politik! Sigurisht që nesër do të duhej të nxirrej aktgjykim lirues dhe jo fajësues, por duke e parë kapjen e këtij sistemi të drejtësisë kjo duket e pamundur”, pati shkruar Haxhiu.

“Vetëvendosja”: Gjykimi ishte politik

Lëvizja “Vetëvendosje” e ka quajtur vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës ndaj deputetëve të saj politik.

Të dyja deputetet, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj – Bujupi, përmes një konference të thirrur për medie pas aktgjykimit janë shprehur se ky vendim është i padrejtë. Deputetja Albulena Haxhiu, e cila u dënua me 1 vit e tre muaj burg, u shpreh se “sot u dëshmua që nuk dënohen kriminelët dhe po shihet që ata qëndrojnë në krye të institucioneve e ky sistem i drejtësisë është duke i akuzuar deputetët dhe aktivistët që e mbrojtën territorin”.

Gjithashtu ajo ka thënë se rreth këtij dënimi ata do të ankohen në Gjykatën e Apelit.

“E gjithë kjo aktakuzë, por edhe aktgjykimi është i padrejtë, absurd dhe politik. Ne nuk kemi pasur gjykim kriminal. Është e qartë, qëllimi ishte që të na shpallin fajtorë, që të kriminalizohet protesta jonë kundër asociacionit dhe Demarkacionit. Ne këtë vendim do ta kundërshtojmë në Gjykatën e Apelit”, ka thënë ajo. Ndërsa deputetja tjetër e “Vetëvendosjes”, Donika Kadaj Bujupi, e ka quajtur dënimin e deputetëve dënim në kundërshtim me popullin.

“Sot gjykatësi Kalludra na ka shqiptuar dënim me emër të popullit dhe kjo është në kundërshtim të popullit, sepse na kanë përkrahur fuqishëm këto marrëveshje, për të cilat përmes me veprimet tona u pamundësua jetësimi”, ka thënë Kadaj.

Gjithashtu Kadaj tha se ajo asnjëherë nuk është ndier më e plotësuar si deputete sesa për këto tre vjet që kanë mbrojtur Republikën.

Molliqaj: Dënimi ishte i padrejtë dhe absurd

Edhe deputeti nga radhët e “Vetëvendosjes”, Dardan Molliqaj, pavarësisht mosmarrëveshjeve që shfaqen brenda kësaj Lëvizjeje, ka reaguar pas dënimit që iu bë deputetëve të tjerë të “Vetëvendosjes”, duke e quajtur vendimin për dënim me kusht të 4 deputetëve absurd.

Molliqaj u doli në mbrojtje atyre, duke thënë se këta deputetë e mbrojtën Republikën pikërisht kur ajo rrezikohej përmes asociacionit dhe Demarkacionit.

“Dënimi me kusht me rreth 5.5 vjet i deputetëve Albin Kurti, Donika Kadaj, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu është sa i padrejtë, po aq edhe absurd. Është i padrejtë sepse këta deputetë e mbrojtën Republikën pikërisht kur ajo rrezikohej përmes asociacionit dhe Demarkacionit”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.

Ai gjithashtu shtoi se në vendin tonë sot po arrestohen e dënohen ata që e mbrojnë vendin, ndërsa po sillen të lirë ata të cilat çdo javë i shohim nëpër ballina të gazetave ndërkombëtare teksa flitet për krimin në Kosovë.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, i cili gjithashtu u ka dalë në mbrojtje deputetëve të partisë së tij, që u dënuan sot me 5 vjet dënim me kusht.

Me këtë rast Ahmeti përmes një statusi në “Facebook” ka thënë se ky dënim është njëri nga dënimet më të padrejta në historinë ë gjyqësorit të Kosovës.

“Edhe pse me kusht, shpallja fajtorë dhe dënimet e sotme për Albinin, Donikën, Albulenën dhe Fatonin janë ndër dënimet më të padrejta të historikut të shkurtër të gjyqësorit të shtetit tonë. Duhet ta kërkojmë lirimin e plotë të të gjithë deputetëve që mbrojtën sovranitetin e shtetit tonë”, ka thënë Ahmeti.