Në veri vritet Dejan Steviq nga Krushevci i Serbisë

Kronika December 28, 2017 - 08:16

Dejan Steviq, nga Krushevci i Serbisë, i njohur për Policinë e Serbisë, i cili fshihej në veri të Mitrovicës, është vrarë të mërkurën rreth orës 5:30 minuta në “Lagjen e Boshnjakëve”, në veri të Mitrovicës. Sipas medieve serbe, dyshohet se atë e ka vrarë M.U., i quajtur “Çetnik”, nga Aleksinci. Gjatë këtij viti janë vrarë edhe dy persona në veri të Mitrovicës, Murat Kuçi (boshnjak) dhe Millosh Shqepanoviq, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Vrasjet, sulmet me bomba, djegia e veturave, plaçkitjet nën kërcënim të armëve kanë vazhduar në veri të Kosovës.

Veriu i Kosovës tani është bërë vend i përshtatshëm për qërim të hesapeve në mes të bandave kriminale të Serbisë.

Një ngjarje që ka shqetësuar qytetarët e veriut të Mitrovicës dhe të Kosovës ka ndodhur të mërkurën kur është shënuar edhe një vrasje në veri të Mitrovicës, vrasja e tretë në këtë vit.

Në rrethana ende të panjohura të mërkurën rreth orës 5:30 minuta është vrarë me armë zjarri Dejan Steviq, nga Krushevci i Serbisë, person i njohur për Policinë e Serbisë, i cili fshihej në veri të Mitrovicës, shkruan tutje "Zëri".

Policia ka thënë se trupi i tij me plagë në pjesën e barkut dhe pa shenja jete është gjetur të mërkurën rreth orës 5:30, në një rrugë në “Lagjen e Boshnjakëve”, pranë veturës së tij “Ford Fokus”, e cila kishte dyert e hapura.

Mediet në Beograd kanë njoftuar se atë e ka vrarë M.U. nga Aleksinci i Serbisë. Policia e Kosovës në veri ka thënë se një person si i dyshuar për vrasjen është arrestuar pa e bërë të ditur identitetin e tij, por mediet në Beograd kanë precizuar se është arrestuar pikërisht M.U, vetëm pak kohë pasi që ka kryer vrasjen.

“Nuk ka ende ndonjë informacion të hollësishëm, në vend të ngjarjes është edhe prokurori. Identiteti i viktimës ende nuk dihet pasi nuk ka asnjë dokumentacion me vete. Viktima është konstatuar pa shenja ku ende nuk është përcaktuar mënyra e vrasjes përveç gjurmëve të gjakut që ka në pjesën e stomakut. Jemi në pritje të institutit ligjor për ta marrë viktimën për procesin e autopsisë”, ka thënë kapiten Hoti, duke shtuar se rrethanat e këtij rasti janë ende të paqarta.

“Momentalisht janë në pritje të mbledhjes së dëshmive që çojnë në drejtim të identifikimit të vet viktimës pranë së cilës gjendet edhe një veturë me dyer të hapura me targa të Krushevcit të Serbisë”, ka thënë kapiten Hoti, ndërkaq shefi i Operativës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri Zhelko Bojiq ka konfirmuar se një person si i dyshuar për vrasjen e kryer është arrestuar. Sipas medieve serbe, “në mëngjesin e së mërkurës është vrarë në veri të Mitrovicës Dejan Steviq, i quajtur ‘Deki Bosanac’  nga Krushevci, i cili ka një dosje të trashë policore. Për vrasjen e tij është i dyshuar M.U nga Aleksinci, për të cilin ishte shpallur fletarrestim për shkak të vrasjes së kryer në vitin 2014”.

“Gjykata e Apelit në Nish ka vërtetuar aktvendimin e shkallës së parë, me të cilin U., i quajtur ‘Çetnik’, është dënuar me 20 vjet burg. Ai ishte shpallur fajtor për faktin se më 21 janar 2014 kishte vrarë Aleksandar Jociq nga Aleksinci dhe kishte plagosur Sasha Dudiq. Ai është dënuar në mungesë, pasi që prej natës kur kishte kryer vrasjen ndodhej në arrati. Ai fshihej në veri të Mitrovicës, por pas vrasjes që ka kryer të mërkurën është arrestuar”, raportojnë mediet serbe në Beograd.

Sipas tyre, i vrari Dejan Steviq është i njohur për konfliktin me Zoran Jotiqin, i quajtur “Jotko”, një nga kapot e nëntokës në Kryshevc të Serbisë.

Vrasja e së mërkurës në veri të Mitrovicës është e vrasja e tretë në këtë vit në atë pjesë.

Më 27 shtator të këtij viti një vrasje është shënuar në kafenenë “Dunjo Moja” në veri të Mitrovicës.

Pas një zënke në mes të disa të rinjve, ku ishin përdorur thikat, rreth orës 23:55 minuta është vrarë me thikë Millosh Shqepanoviq, 32vjeçar.

Ndërkaq më 12 maj të vitit 2017, në “Lagjen e Boshnjakëve” është vrarë Murat Kuçi, 56-vjeçar, i nacionalitetit boshnjak.

Për vrasjen e Kuçit akuzohet një serb, D.S., 22-vjeçar, i cili është vënë në pranga. I dyshuari, sipas Policisë, kishte hedhur armën me të cilën kishte kryer krimin.