‘Qëndrimi mospërfillës’ rëndoi dënimet e aktivistëve të VV-së

Kronika December 19, 2017 - 11:27

Në aktgjykimin për sulmin në Kuvend, gjykata numëroi arsyet që ndikuan në lartësinë e dënimeve të aktivistëve të VV-së.

Në aktgjykimin e siguruar nga KALLXO.com, gjykata ka vlerësuar edhe rrethanat të cilat kanë ndikuar që aktivistët e Vetëvendosjes të dënohen me 21 vjet burgim.

Në përcaktimin e lartësisë së dënimit për Atdhe Arifin, Frashër Krasniqin dhe Egzon Halitin, si rrethana rënduese, trupi gjykues ka vlerësuar shkallën e lartë të pjesëmarrjes së tre të akuzuarve në kryerjen e veprës penale.

Si rrethanë tjetër rënduese për tre të akuzuarit, gjykata ka vlerësuar edhe “sjelljen jokorrekte dhe qëndrimin mospërfillës dhe mosrespektues të autoritetit të gjykatës gjatë zhvillimit të kësaj procedure penale”.

LEXO EDHE: Trupi gjykues: Atdhe Arifi e pranoi ‘aksidentalisht’ blerjen e motorit

Sipas aktgjykimit, gjykata “ka vlerësuar si rrethana lehtësuese, faktin se të akuzuarit nuk kanë qenë më parë të gjykuar, apo të dënuar për ndonjë vepër tjetër penale dhe moshën e tyre të re.

Për Egzon Halitin, si rrethanë shtesë lehtësuese, gjykata ka vlerësuar sjelljen e tij gjatë masës së arrestit shtëpiak të bazuar në raportin e policisë.

Egzon Haliti është dënuar nga gjykata me 5 vjet e gjysmë burgim.

Ndërkaq, për Adea Batushën, si rrethanë veçanërisht lehtësuese gjykata “ka vlerësuar kontributin relativisht të vogël në kryerjen e kësaj vepre penale”.

Sipas aktgjykimit, Adea Batusha është dënuar me 2 vjet burgim. /Kallxo.Com/