Apeli kthen në rigjykim rastin e zyrtarëve për banderolat e ilaçeve

Kronika December 14, 2017 - 18:16

Gjykata e Apelit ktheu në rigjykim rastin e zyrtarëve që akuzohen se mundësuan daljen në treg të barnave me prejardhje nga Kina.

Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit të siguruar nga KALLXO.com, është aprovuar në tërësi kërkesa e mbrojtësve të të akuzuarve Bersan Kolgeci, Ilir Dushi, Haki Ejupi dhe Edon Hajrullaga.

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje çështjen penale kundër zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale që akuzohen se i lëshuar banderola për ilaçe kompanisë “Prima Pharm”.

Në arsyetimin e aktvendimit të Gjykatës së Apelit thuhet se aktgjykimi i dispozitivit bashkë me pjesën ndëshkuese të lëshuar nga gjykata themelore është i paqartë dhe i pakuptueshëm.

Gjykata e Apelit konstaton se arsyet e paraqitura në këtë aktgjykim janë kontradiktore lidhur me faktet vendimtare, andaj aktgjykimi i shkallës së parë, është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas këtij aktvendimi, thuhet se gjykata e shkallës së parë, duhet të evitojë shkeljet e sipërpërmendura, prandaj anulohet çështja penale dhe e njëjta kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

Gjykata themelore Bersan Kolgecin e Ilir Dushin i kishte dënuar me nga gjashtë muaj burgim, ndërsa Haki Ejupit i kishte shqiptuar dënimin prej 5 muajsh burg.

Kurse Edon Hajrullagën e kishte dënuar me gjobë prej 10 mijë eurove.

Bersan Kolgeci, Ilir Dushi dhe Haki Ejupi nga prokuroria akuzohen që si persona zyrtarë në AKPPM, lëshuan 435.124 banderola të barnave për kompaninë “Prima Pharm”, drejtor i së cilës është i akuzuari tjetër Edon Hajrullaga.

Kolgeci, Dushi e Ejupi akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa Edon Hajrullaga për prodhim të ndaluar.

Sipas prokurorisë, Bersan Kolgeci, që ishte drejtor i Departamentit Ligjor në Agjencinë e Produkteve Medicinale i kishte rekomanduar drejtorit të sdministratës së kësaj agjencie që t’i lëshonte banderola për 18 produkte medicinale kompanisë “Prima Pharm”, duke i mundësuar asaj që t’i nxjerrë në treg barnat e importuara nga Kina më 23 mars 2013.

Prokuroria pretendon se Kolgeci nuk është dashur ta lëshonte një rekomandim të tillë për arsyen se sipas saj kompania “Prima Pharm” nuk ka qenë e certifikuar me PMP- Praktikën e Mirë Prodhuese.