Gjyqtarit Kolë Puka i konfiskohet pasuri në vlerë mbi 1 milion euro

Kronika December 14, 2017 - 12:16

Gjykata e Apelit e Kosovës ka vendosur sipas ankesave në rastin e të akuzuarit Kolë Puka.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit është vërtetuar në pjesën më të madhe aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 28.06.2017.

Kështu, për veprat penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore, keqpërdorimi i pozitës apo autoriteti zyrtar dhe parandalimi i pastrimit të parave dhe luftimi i pastrimit të terrorizmit, i akuzuari është dënuar më 3 vjet e 6 muaj burgim dhe 3.000(tremijë) euro gjobë.

Po ashtu, gjyqtarit Puka i është ndaluar ushtrimi i  funksioneve në administratën publike ose në shërbim publike si dhe ushtrimi i profesionit të avokatit në kohëzgjatje prej 3 vjetëve, pas mbajtjes së dënimit me burgim.

Gjykata e Apelit njofton po ashtu se nga i akuzuari janë konfiskuar paluajtshmëritë e përfituara nga  kryerja e veprës penale më vlerë mbi një milion euro dhe atë një banesë në Klinë, një banesë në Prishtinë, patundshmëria (në të cilën është e ndërtuar një shtëpi) në Ulqin të Malit të Zi, në sipërfaqe prej 308 m2, patundshmëria (livadh) po në Ulqin, në sipërfaqe prej 171 m2, një lokal afarist në Klinë, një automjeti “Audi A6” si dhe mjetet financiare nga shitja e dy lokaleve afariste.

Në qershor të këti viti, Gjykata Themelore e kishte dënuar Pukën me 4 vjet burg dhe 5 mijë euro gjobë.

Kolë Puka ishte dënuar edhe më herët në procese tjera gjyqësore. /Kallxo.Com/