Dështimi i Prokurorisë: Kaluan tre muaj, asgjë e re rreth tri vdekjeve të dyshimta në QKUK

Kronika December 12, 2017 - 16:21

Janë bërë më shumë se dy muaj qëkur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë ndërruar jetë tre pacientë, derisa ishin futur në sallën e operimit. Shkaku i vdekjes së këtyre personave ende nuk dihet, edhe pse analizat e obduksionit të tyre janë bërë muaj më parë. Prokuroria thotë se po i vazhdon hetimet dhe se dyshimet e para çojnë në gazin oksidul (N20), i cili prodhohej pa licencë në Kosovë dhe me të cilin furnizohej QKUK-ja. Një person gjendet në paraburgim, ndërkohë që rezultatet e analizave të autopsisë për të njëjtit tashmë kanë dalë, shkruan Gazeta Express.

Më 7 shtator të këtij viti, tre pacientë vdiqën në rrethana ende të panjohura në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Për këtë punë Prokuroria e Shtetit tashmë ka nisur hetime, ndërkohë që biznesmeni Naser Guri, pronari i kompanisë “Bubeari Comerc”, e cila e ka prodhuar pa licencë gazin oksidul në Kosovë, për më shumë se dy muaj vazhdon të mbetet në paraburgim.

Por, edhe pas pothuajse tre muajve, institucionet e hetuesisë në vend ende nuk kanë prezantuar të dhëna konkrete se deri ku ka shkuar ky rast. Sot e kësaj dite zyrtarë nga Prokuroria e shtetit vazhdojnë të deklarojnë se rasti është nën hetime. Në përgjigjet që zyrtarë të Prokurorisë i kanë dhënë Expressit të hënën thuhet se për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të jepen të dhëna të tjera.

“Ju njoftoj se Prokuroria ende është në fazën e hetimeve, dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe fazës procedurale ku gjendemi, nuk mund të japim të dhëna tjera”, i ka thënë Expressit zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu.

Lidhur me rastin, siç kemi cekur, një person tashmë gjendet në paraburgim. Por, masa e paraburgimit për Gurin po shihet si e pabazuar për palën mbrojtëse të tij. Për këtë punë, sot (e martë), është mbajtur seancë dëgjimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës për shqyrtimin e ligjshmërisë së paraburgimit për Naser Gurin.

Avokati Bajram Tmava ka thënë për Express se beson që klienti i tij do të lirohet nga paraburgimi para datës 6 janar, datë kjo kur atij i skadon masa e paraburgimit prej dy muajve.

“Sot është mbajtur një seancë dëgjimore për shqyrtimin e ligjshmërisë për paraburgim, nuk kemi ende asgjë të re. Unë kam bërë kërkesë për këtë çështje se nuk ka elemente për paraburgim. Prokurori i ka kundërshtuar propozimet e mia. Po e mbajnë njeriun në burg pa asnjë bazë ligjore”, ka thënë Tmava për Express.

Ai thotë se raporti i analizave të obduksionit, që më 15 shtator u është bërë tri viktimave që ndërruan jetë në QKUK, tashmë ka dalë.

“Analizat e autopsisë janë bërë. Ato janë në rregull por ato toksikologjike nuk janë bërë ende. Prokurori ka thënë se ato ende nuk janë dërgua jashtë vendit”, ka thënë Tmava.
Ai njofton edhe se kërkesën e tij për lirimin nga paraburgimi për të dyshuarin e vetëm për vdekjen e tre pacientëve që në rrethana ende të paqarta ndërruan jetë në QKUK, e ka refuzuar prokurori i rastit.

“Unë besoj që klienti im do të lirohet para kësaj date. Nëse gjyqi nuk ma aprovon, unë do t’i përdor të gjitha mjetet tjera juridike”.

Rreth çështjes së raportit për analizat e autopsisë, Express ka provuar që të kontaktojë me zyrtarë të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, por të njëjtët nuk i janë përgjigjur kërkesave të gazetës.

Përkujtojmë se me datë 7 shtator tre pacientë ndërruan jetë në sallat e operimit në QKUK. Si shkaktar deri më tani dyshohet të jetë gazi oksidul i prodhuar pa licencë në Kosovë e me të cilin furnizohej QKUK-ja. Prokuroria ka marrë disa mostra të këtij gazi nga QKUK-ja për t’i kryer analizat, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë rezultat.

Në QKUK dhe të gjitha spitalet regjionale në Kosovë, është hequr nga përdorimi gazi oksidul i prodhuar nga kompania “Bubeari”. Tenderin për furnizim me këtë lloj gazi e ka fituar kompania ‘’Medica”, e cila e ka selinë në Prishtinë. /GazetaExpress/