Kjo është gjendja shëndetësore e çiftit bashkëshortor të plagosur në Skenderaj

Kronika December 11, 2017 - 15:27

Dy qytetarët e plagosur të premten pasdite në fshatin Radishevë të Skenderajt, janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Që nga e premtja ata gjenden në kujdes intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

D.S. dhe bashkëshortja e tij, F.S., mbetën të plagosur rëndë pasditen e së premtes, nga i dyshuari Xh.T., i cili paraprakisht kishte lënë për vdekje gruan e tij në shtëpi në Runikë të Skenderajt.

Zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, ka thënë për Gazetën Express se gjendja e çiftit bashkëshortor nga Skenderaj, është e rëndë.

“Mund të ju konfirmojmë se dy raste nga ngjarja e ndodhur në Skenderaj, pas ndihmës së parë në klinikën emergjente, janë transferuar në mjekimin intensiv ku po vazhdojnë të mjekohen”, ka thënë Fazliu.

I dyshuari për vrasje fillimisht ka shtënë në gruan e tij në shtëpinë e tij në Runikë dhe më pas ka shkuar në fshatin Radishevë ku ka qëlluar baxhanakun dhe gruan e tij, të cilët i ka lënë të plagosur.

Ai është arrestuar nga Policia e Kosovës ditën kur ndodhi ngjarja tragjike.