10 ditë pas përmbytjeve në Novoselë, kjo është situata

Kronika December 11, 2017 - 13:05

Banorët e Novoselës, 10 ditë pas përmbytjeve, janë përfshirë në një përpjekje të mundimshme për të normalizuar jetesën.

Mes tyre ka kritikë për mungesën e ndihmës dhe procesit të evidentimit të dëmeve. Ndërsa të tjerë, më shumë se ndihmë të momentit kërkojnë zgjidhjen përfundimtare që do të shmangte përsëritjen e përmbytjeve sa herë që ka reshje shiu si në këtë fillim dhjetori.

Dëmet e përmbytjeve janë ende evidente. Ndërsa flitet për dëmshpërblime apo subvencione kundrejt fermerëve të prekur në Novoselë asgjë nuk ka ndodhur ende dhe banesat janë ende nën ujë.

Në familjen Memushaj në Novoselë, ashtu si edhe në shumë shtëpi të tjera muret nuk janë tharë. 4 anëtarët e familjes Memushaj u rikthyen në banesë, pasi qëndruan për 10 ditë tek të afërmit. Tashmë po tentojnë të normalizojnë jetesën.

Luan Memushaj: “Kam 10 ditë që rrij në shtëpinë e vëllait, tani jam kthyer dhe nuk i kam ulur akoma moblijet për shkak të ujit.”

Familja Memushaj jeton vetëm 70 metra larg lumit dhe banesa duket qartë, por thonë se askush nuk u ka ardhur për ti ndihmuar apo evidentuar dëmet. Kështu ndodhi në edhe vitin 2015, thotë Memushaj.

Luan Memushaj: “Kam 1 hektarë me jonxhë e hasëll dhe nuk ka ardhur asnjë njeri. Kisha 4.3 milionë, më kanë dhënë 1.4 milionë dhe i shpërndanë për votat, për fushatë.”

Kastriot Hoxhaj, është një nga banorët e Fitores që pak ditë më parë shpërtheu në akuza ndaj administratorit të zonës Kanan Shakaj dhe kryebashkiakut Leli. Ai e ruan qëndrimin kundër për ndihma materiale, ndërsa kërkon ndërhyrje në lumë për të shmangur rrezikun

Kastriot Hoxhaj: "Unë them që të mos shpenzojnë lekë kot. Pra të shpenzohen njëherë dhe saktë që ky komunitet të shpëtojë nga ky problem.”

Edhe pse kanë kaluar 10 ditë nga përmbytjet, banorët e Novoselës ende nuk i kanë hequr çizmet, ndërsa po përpiqen të rikthejnë normalitetin e jetesës që u prishi vërshimi i Vjosës./Oranews