Nis seanca ndaj deputetëve të Vetëvendosjes, mungon Veseli

Kronika December 07, 2017 - 09:37

Ka nisur seanca gjyqësore ndaj katër deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli të cilët akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Në këtë seancë janë të ftuar katër dëshmitarë, mes tyre edhe kreu i Kuvendit të kësaj legjislature dhe asaj të kaluar, Kadri Veseli.

Tre dëshmitarët e tjerë janë deputetët e LDK-së, Naser Osmani e Armend Zemaj dhe Bekim Haxhiu nga PDK-ja, njofton Klan Kosova.

Por në Gjykatë janë paraqitur vetëm Naser Osmani dhe Bekim Haxhiu derisa mungojnë Kadri Veseli dhe Armend Zemaj.

Në seancën paraprake, dëshminë e tyre e kanë dhënë deputetet e PDK-së, Flora Brovina dhe Blerta Deliu-Kodra të cilat përpos që janë dëshmitare në këtë rast cilësohen edhe si palë e dëmtuar.

Brovina në dëshminë e saj nuk e kishte identifikuar asnjërin nga deputetët se ka hedhur gaz lotsjellës por vetëm ka deklaruar se është hedhur gaz lotsjellës.

Por deputetja Deliu-Kodra e kishte specifikuar deputetin Albin Kurti se ishte ai që e ka hedhur gazin lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe deputeti Nuredin Ibishi derisa nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti nuk e ka përmendur asnjërin nga deputetët që akuzohen por ka thënë se hedhja e gazit lotjsellës në Kuvend ka qenë akt i opozitës.