Policia kërkon ndihmë për t’i zbuluar autorët e krimeve në veri

Kronika November 30, 2017 - 08:41

Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në veri u ka bërë apel qytetarëve të veriut që ta ndihmojnë Policinë për t’i zbuluar autorët e djegieve të veturave dhe të sulmeve me bomba, pas rastit të sulmit me bomba mbi shtëpitë e dy pjesëtarëve të FSK-së në Zubin Potok dhe të hedhjes në erë me eksplozivë të veturës së një qytetari goran në veri të Mitrovicës, të mërkurën, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Fenomeni i djegies së veturave të qytetarëve serbë, shqiptarë e goranë në veri të Mitrovicës ka vazhduar edhe të mekurën.

Autorët e këtyre veprave kriminale, sipas të dhënave të Policisë, në të shumtën e rasteve përdorin lloje të ndryshme të eksplozivit dhe bomba dore për t’i shkatërruar veturat dhe për t’i sulmuar shtëpitë e qytetarëve në veri të Kosovës, shkruan tutje "Zëri".

Një automjet “Audi” me targa KM 991 CA, pronë e Albert Alijas, qytetar i komunitetit goran, është djegur qëllimshëm me molotovë, të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit, në veri të Mitrovicës.

LEXO EDHE: Peja, kampion i punësimeve me kontrata të veçanta

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ivo Lola Ribar” në veri të Mitrovicës. Dyshohet se ngjarja ndërlidhet me “reket”, por deri tani nuk dihen motivet dhe autorët e këtij incidenti, ndërsa pronari i automjetit mban një qebaptore në veri. 

Rastin e ka konfirmuar kapiteni Besim Hoti, zëvendëskomandant i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri.

Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në veri pas këtij incidenti dhe pas rastit të sulmit me bomba mbi shtëpitë e dy pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Zubin Potok u ka bërë apel qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë, në mënyrë që autorët e këtyre akteve kriminale të zbulohen dhe të vihen para drejtësisë.

Në një komunikatë të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri thuhet se nevojitet ndihma e qytetarëve dhe shtimi i masave policore për t’i zbuluar autorët e këtyre akteve dhe për ta parandaluar këtë fenomen, që ka përfshirë pjesën veriore të Kosovës, veçanërisht veriun e Mitrovicës dhe Zubin Potokun.

“Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në veri ka ndërmarrë të gjitha masat që të zgjidhen rastet e sulmit me bomba mbi shtëpitë e dy pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Leposaviq, si dhe zbulimin e autorëve të djegieve të veturave të qytetarëve dhe të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri, në mënyrë që të krijojë siguri maksimale për qytetarët në fushën rendit dhe të qetësisë. U bëjmë apel të gjithë qytetarëve që kanë informacione ta njoftojnë Policinë e Kosovës në veri, në mënyrë që këto vepra kriminale të sqarohen dhe autorët të zbulohen dhe në këtë mënyrë ta krijojmë një rreth të sigurt për të gjithë”, thuhet në komunikatën e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri.

Ndryshe, dy rasteve të fundit në veri u ka paraprirë një sulm me koktej molotovi mbi veturat e një furrtari shqiptar në “Lagjen e Boshnjakëve”, me ç’rast atij i janë dëmtuar edhe pajisjet për furrë.

Ndërkaq, djegia e veturës të goranit Alija është i 10-i rast me radhë në këtë vit në veri të Mitrovicës dhe i 25-i prej vitit 2014.