Ambasadorja e Vullnetit të Mirë, premton mbështetje për viktimat e dhunës seksuale

Kronika November 24, 2017 - 19:07

Ambasadorja e Vullnetit të Mire për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, gjatë fushatës së saj vetëdijesuese kundër diskriminimit te viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka qëndruar sot për vizitë në organizatën Medica Kosova, e cila mbulon rajonin e Deçanit dhe të Gjakovës.

Ajo e shoqëruar nga drejtoresha e kësaj qendre, Veprore Shehu, ka takuar një grup të viktimave.

Gjatë këtij takimi me viktimat, ambasadorja Shala ka dëgjuar rrëfimet e përjetimeve të dhimbshme të viktimave, dhe është njohur nga afër me gjendjen e aktuale të tyre në shoqëri.

Viktimat, edhe pse kanë kaluar 18 vite pas luftës, thonë se ende nuk e ndiejnë lirinë dhe guximin për të rrëfyer publikisht përjetimet e tyre, pasi ende vazhdojnë te stigmatizohen nga shoqëria e sidomos familjarët e tyre në këto rajone.

Te pyetura nga Ambasadorja se sa kane pasur mbështetje nga institucionet qendrore apo lokale ato shprehen se “deri sot askush nga krerët institucional, as nuk na ka vizituar e as nuk na ka mbështetur, përveç ish-presidentja Jahjaga ka qenë dy herë, por edhe mbështetja e saj ka qenë vetëm morale”.

“Asnjëra nga ne nuk punon, dhe të gjitha shpenzimet për shërbime shëndetësore duhet t’i mbulojmë sipas mundësive tona. Mbështetjen e vetme e kemi gjetur te kjo organizate. Kemi nevojë për punë, e sidomos për mbështetje ne shërbime shëndetësore sepse nuk po arrijmë t’ia dalim vet” – u shprehen ato.

Ambasadorja Shala u premtoi viktimave se të gjitha kërkesat e tyre do t’i adresoi tek krerët përgjegjës dhe inkurajoi viktimat që të thyejnë heshtjen dhe të marrin guximin të shfaqen hapur në shoqëri, sepse vetëm kështu ato mund te thyejnë tabunë e paragjykimeve.