Kronika

Urdhërarrest për 3 deputetë të 'Vetëvendosjes'

Urdhërarrest për 3 deputetë të 'Vetëvendosjes'
23 nëntor 2017 • 08 : 21 Foto: Laura Hasani
Arlinda Kqiku

Dje ishte paraparë që 4 deputetët e “Vetëvendosjes” të akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend të paraqiten në Gjykatë.

Por një gjë e tillë nuk ndodhi as këtë radhë, kjo për faktin se Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Donika Kadaj- Bujupi nuk erdhën fare në Gjykatë. I vetmi që iu përgjigj kësaj ftese ishte deputeti Faton Topalli.

Me mosparaqitjen e tyre në Gjykatë trupi gjykues vendosi që të lëshojë urdhërarrest për 3 deputetët, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pikërisht kjo gjë bëri që lëvizja “Vetëvendosje” dhe pjesëtarë të saj në mënyrë individuale të reagojnë duke e quajtur këtë vendim politik, që sipas tyre kjo gjë tregon edhe më mirë se sa i kapur është shteti i Kosovës dhe drejtësia në përgjithësi.

Pasi deputetët e “Vetëvendosjes” të akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, përveç Faton Topallit, nuk u paraqitën në Gjykatë, dy deputetët e “Vetëvendosjes”,  Kurti e Kadaj-Bujupi, janë kërkuar në shtëpitë e tyre, pasi trupi gjykues qysh në seancën e kaluar ka urdhëruar sjelljen e tyre me Polici në Gjykatë, pasi as atëherë nuk ishin paraqitur.

LEXO EDHE: “Kurzi i Kamenicës”

Por të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e tyre të banimit. Kështu ka bërë të ditur gjyqtari Beqir Kalludra, derisa anuloi seancën e së mërkurës deri në një afat të pacaktuar.

Kalludra urdhëroi edhe arrestimin e deputetëve të akuzuar, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe gjithashtu Albulena Haxhiu. Madje caktoi ndaj tyre edhe paraburgim.

“Për të akuzuarin Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi Gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga stacioni “Qendra” dhe “Jugu” në Prishtinë. Dhe sipas informatave nga këto stacione policore, të njëjtët nuk janë gjendur në adresat e vendbanimeve të dhëna sipas shkresave të lëndës”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka referuar urdhëresën e përsëritur Policisë së Kosovës për sjelljen me detyrim të Albin Kurtit dhe të Donika Kadaj-Bujupit në seancën gjyqësore gjatë ditës së mërkurë, përpara orës 09:00, pasi që ndaj tyre është duke u zhvilluar procedurë penale.

“Konform detyrimit ligjor, autorizimeve të saja, si dhe përgjegjësisë për ta realizuar urdhëresën sipas përmbajtjes së saj, Policia ka dërguar njësinë patrulluese në adresat e dhëna nga Gjykata për të kontaktuar me personat në fjalë, por të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e tyre, si dhe nuk ka qenë e mundur të kontaktohen përmes formave të tjera të kontaktit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka thënë se e ka njoftuar Gjykatën Themelore për veprimet e saj dhe mosgjetjen e personave në adresat e tyre përpara fillimit të seancës.

Megjithatë Policia ka sqaruar se gjatë zbatimit të urdhëresës nuk ka bastisur apo rrethuar asnjë lokacion, siç është paraqitur në medie gjatë ditës së sotme.

“Ndërlidhur me veprimet policore konfirmojmë se në asnjërin prej të dyja rasteve Policia nuk ka rrethuar lokacione dhe nuk ka bastisur asnjë adresë banimi, andaj pretendimet e disa qarqeve informative për bastisje dhe rrethim të ndonjë vendbanimi janë të pavërteta dhe si të tilla mbesin në suazat e spekulimeve”, përfundon sqarimi i Policisë.

“Vetëvendosja” reagon pas bastisjes së shtëpive

Lëvizja “Vetëvendosje” me rastin e bastisjes së shtëpisë së deputetes Donika Kadaj Bujupi reagoi edhe para se të reagojë lidhur me mosparaqitjen e deputetëve të tyre në Gjykatë.

Kjo ndodhi pas një urdhërarresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për seancën e sotme ndaj katër deputetëve të LVV-së lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, duke e quajtur tërë procesin si proces të padrejtë politik.

“Vetëvendosja” përmes reagimit të tyre thanë që veprimet e organeve të drejtësisë tregojnë luftën e vazhdueshme, që po i bëhet “Vetëvendosjes”.

“Këto veprime të organeve të rendit dhe drejtësisë janë të papranueshme dhe tregojnë për luftën e vazhdueshme që po i bëhet lëvizjes ‘Vetëvendosje’. Përndjekja dhe persekutimi i tillë i vazhdueshëm ndaj aktivistëve dhe deputetëve tanë flet më së miri se deri në çfarë niveli është i kapur sistemi i drejtësisë”, thuhet në reagim.

 Ata për tërë këtë proces fajin e vënë tek gjyqtari Beqir Kalludra, i cili njëherësh ishte edhe gjykatës në rastin e dënimit të aktivistëve të “Vetëvendosjes” për sulm ndaj Kuvendit, që u dënuan me 21 vjet burg gjatë javës së kaluar.

“Pa dyshim kryefjala e gjithë këtij procesi të padrejtë është gjyqtari Beqir Kalludra, i cili si shërbyes i zellshëm i krimit ditë më parë dënoi me 21 vjet burg katër aktivistët tanë pa asnjë provë të vetme.

Deputetja Haxhiu reagon në “Facebook”

Deputetja e “Vetëvendosjes”, Albulena Haxhiu, e cila të mërkurën nuk është paraqitur para Gjykatës për rastin e hedhjes së gazit në Kuvend, ka reaguar përmes një statusi në llogarinë e saj në “Facebook”, ku ka thënë se hedhja e gazit lotsjellës ka qenë veprim politik dhe se “falë atyre veprimeve është ndalur, sipas saj, bosnjëzimi i Kosovës.

Haxhiu gjithashtu në këtë reagim të saj kishte ankesa për kryeministrin e vendit Ramush Haradinajn, që në atë kohë ishte bashkë me opozitën në kundërshtimin e fuqishëm të Demarkacionit me Malin e Zi.

“Veprimet e gazit lotsjellës në Kuvendin e Republikës kanë qenë veprime politike dhe në atë kohë i kemi ndërmarrë bashkë me opozitën e asaj kohe, AAK-në dhe Nismën. Falë atyre veprimeve ne kemi arritur ta ndalojmë bosnjëzimin e Kosovës dhe faljen e territorit”, ka thënë Haxhiu.

Ymeri: Fletarrestimi, hakmarrje

Edhe kryetari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, ka thënë se fletarrestimet për deputetët e kësaj Lëvizjeje janë hakmarrje, siç ka thënë ai, të klanit “Pronto”.

“Politikisht dhe në aspektin kushtetues protesta jonë u dëshmua e drejtë dhe e domosdoshme. Duke e ndalur ‘Zajednicën’ e shpëtuam rendin kushtetues të Republikës. Duke e pamundësuar ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi e ruajtëm integritetin territorial të Republikës”, ka thënë Ymeri. 

Ndërkohë, i vetëm në Gjykatë nga të akuzuarit është paraqitur deputeti Faton Topalli, i cili vendimin e Gjykatës e quajti në shërbim të klanit “Pronto”.

“Siç e patë, vendimi i Gjykatës është në shërbim të klanit “Pronto”. Unë kërkova fjalën në Gjykatë që të kërkojë që gjyqtari Kalludra të hiqet nga ky rast, pasi që i njëjti ka dënuar aktivistët e LVV-së, ndërsa i ka lënë në liri ata që me të vërtetë e kanë gjuajtur Kuvendin”, është shprehur Topalli.

Ndërsa për mospraninë e bashkëaktivistëve të tij Topalli ka thënë se nuk e di arsyen pse nuk janë paraqitur sot në gjykim.

 

© zëri.info