Apeli liron nga akuzat 12 studentët dhe asistentët e UP-së

Kronika November 21, 2017 - 13:36

Gjykata e Apelit ka liruar nga akuzat 12 asistentët dhe studentët e Universitetit të Prishtinës (UP), të cilët në korrik të këtij viti ishin dënuar me burg dhe gjobë për regjistrime në fakultete përkatëse, kryesisht në Fakultetin e Mjekësisë dhe kalimin e jashtëligjshëm të provimeve.

Përmes aktgjykimit, që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, kjo gjykatë më 27 tetor të këtij viti, kur edhe është mbajtur seanca e kolegjit të kësaj gjykate, kishte aprovuar pretendimet e avokatëve dhe të akuzuarve, të cilët kishin ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i shpallur më 6 korrik të këtij viti.

“Duke shqyrtuar aktgjykimin e shkallës së parë në pjesën për të cilën është ushtruar ankesë dhe sipas detyrës zyrtare konform dispozitës së nenit 394 të KPPK-së përkitazi me shkeljet e ligjit penal, Gjykata e Apelit vlerëson se me aktgjykimin e kundërshtuar është shkelur ligji penal në anën e të akuzuarve Esat Belaj, Gazmend Maliqaj, Kemajl Gashi, Kushtrim Morina dhe Arton Hoti, ngase në këtë rast ndjekja penale është parashkruar respektivisht ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale”, thuhet në aktgjykim.

Po ashtu, në këtë aktgjykim theksohet se të të pandehurit nuk kanë qenë persona zyrtarë për kohën që janë akuzuar.