Luftimi krah ISIS-it: Ja sa fëmijë kosovarë janë në Siri dhe Irak, e nuk dihet fati i tyre

Kronika November 18, 2017 - 18:39

Luftës në Siri dalëngadalë po i vije fundi, pasi bastionet e fundit të organizatës terroriste ISIS janë rënë në duar të ushtrisë siriane dhe opozitës së mbështetur nga koalicioni i ushtrisë amerikane.

Por, ajo që mbetet një shqetësim për autoritetet në Kosovë është numri i shtetasve kosovarë, posaçërisht fëmijëve, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë, nëse janë të gjallë apo të vdekur.

Numri i fëmijëve kosovarë të cilët ndodhen në zonat e luftës në Siri dhe Irak, është 27, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës.

Shkaku pse këta fëmijë të moshave të ndryshme gjenden në zonat e luftës është si rezultat i prindërve të tyre, të cilët janë pjesë e organizatave terroriste si ISIS dhe Al Nusra, shkruan Indeksonline.

Ndonëse policia e Kosovës i ka këto të dhëna për numrin e tyre, në anën tjetër institucionet përgjegjëse të qeverisë nuk kanë asnjë të dhënë për fatin e tyre, se ku janë dhe a janë ende gjallë.

Që nga viti 2012, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri i përgjithshëm i Kosovarëve që kanë udhëtuar për në Siri është rreth 316, në mesin e tyre janë 44 gra dhe 29 fëmijë, në këtë numër janë të regjistruar edhe 38 qytetarë që kanë shtetësi të dyfishtë.

Vlerësohet se momentalisht numri i qytetarëve nga Kosova në zonat e konfliktit është rreth 140. Duke përfshirë 75 persona që dyshohet se në forma të ndryshme janë aktivë në organizatat terroriste të përcjellë nga gratë dhe fëmijët e tyre.

Në Siri, dhe Irak janë edhe 38 gra dhe 27 fëmijë, 58 shtetas të Kosovës janë raportuar të vrarë, shumica prej tyre besohet të jenë vrarë prej vetë terroristëve pas tentimeve për t'u larguar nga zonat e konfliktit.

Deri më tani 117 prej tyre janë kthyer në Kosovë.

Llogaritet që kosovarët të cilët kanë udhëtuar për në zonat e konfliktit kryesisht janë të rinj të moshës 18-27 vjeç, shumica me gjendje të rëndë ekonomike dhe probleme sociale, pjesa më e madhe kanë një edukim të ulët ose nuk kanë pasur qasje në edukim, si dhe një pjesë e tyre me të kaluar kriminale.