UP-ja këmbëngul në kthimin e pronës së uzurpuar nga Kisha Ortodokse Serbe

Kronika November 16, 2017 - 20:56

Këshilli Drejtues i Universitetit “Hasan Prishtina” ka mbajtur një mbledhjen gjatë ditës së sotme ku është diskutuar për kthimin e pronës nga Kisha Ortodokse Serbe.

Pas kësaj mbledhje, Këshilli drejtues i UP-së, lëshoi këtë deklaratë:

Këshilli Drejtues dhe Parlamenti Studentor është thellësisht i përkushtuar që të përmbushë gjithë hapat ligjor për kthimin e pronës së uzurpuar nga Kisha Ortodokse Serbe në mënyrë të kundërligjshme në pronësi dhe në shërbim të studentëve të UP-së.

Keqinterpretimi i javës së fundit se “UP-ja ka hequr dorë nga beteja ligjore për pronën që ka uzurpuar Kisha Ortodokse” nuk qëndron.

Njoftojmë opinionin se bazuar në legjislacionin aktual Aktvendimi i Gjykatës Themelore C.nr 2444/12, është i natyrës procedurale, e jo një vendim meritor/përfundimtar ndërlidhur me Kërkesën e UP-së për kthimin e pronës së uzurpuar nga Kisha Ortodokse Serbe.

Në këtë situatë juridike, UP-ja sipas Ligjit do të inicoj padi për kthimin e pronës së uzurpuar nga Kisha Ortodokse Serbe.

Këshilli Drejtues ka formuar një Grup te Veçantë Punues i ngarkuar me detyrë që duke siguruar mbështetjen e institucioneve ta ndjek këtë çështje në rrugë ligjore deri në kthimin përfundimtar të kësaj prone në shfrytëzim të studentëve të tij.

Këshilli Drejtues kërkon nga Kuvendi Komunal i Prishtinës që në suaza të legjislacionit pronësor dhe procedurave të veta të vendimmarrjes të revokoj Vendimin e ish-Këshillit Ekzekutiv të KK-së Prishtinës Nr. 110-74/90-02 i datës 26.09.1990 me të cilin në mënyrë të kundërligjshem ka dhënë në shfrytëzim tokën për ndërtimin e ndërtesës së Kishës Ortodokse. Prona kontestuese e dhënë Kishës Ortodokse e që në vazhdimësi është kontestuar nga UP-ja, është pronë e Komunës së Prishtinës, ndërsa UP-ja është shfrytëzuese e saj. Shfuqizimi i Vendimit do ta lehtësonte jashtëzakonisht shumë problemin ligjor dhe rikthimin e pronës në shfrytëzim për nevojat emergjente të UP-së, për hapësira dhe infrastrukturë.