Aksidenti që vrau gazetaren: Prokuroria zbardh detajet

Kronika November 15, 2017 - 16:20

Prokuroria e Lushnjes ka zbardhur dinamikën e aksidentit tragjik të ndodhur fundjavën e kaluar, që i mori jetën gazetares së një televizoni kombëtar, Erinalda Isufaj, si dhe shkaktoi plagosjen e tre personave të tjerë, të afërm me viktimën.

 Nga hetimet paraprake dhe këqyrjes së vendngjarjes, grupi i hetimit midis të tjerave ka konstatuar tre shkelje të cilat dyshohen se kanë sjellë edhe pasojat tragjike.

Ato janë: tejkalimi i kufirit të shpejtësisë nga 40 që ishte e përcaktuar në 60 kilometra në orë nga drejtuesi i kamionit; manovrimi i drejtuesit të kamionit për të realizuar një parakalim që mbeti në tentativë për shkak të distancës së shkurtër, ç’ka solli në çekuilibrimin e ngarkesës që mbante blloqe mermeri dhe rrëzimin e njërit prejt tyre në rrugë, duke u përplasur me autoveturen tip “Peugeot”, ku udhëtonin viktima dhe të plagosurit.

Një tjetër konstatim i grupit të hetimit, që është edhe më kryesori, është se blloqet e mermerit ishin të palidhur në karrocerinë e kamionit dhe ishin vendosur mbi disa kolona druri.

Vetë drejtuesi i kamionit, Bashkim Pula, për të cilin gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, nuk ka pranuar të japë shpjegime për këtë aksident, duke kërkuar një mbrojtës ligjor, raporton TCH, transmeton Klan Kosova