Kronika

Dënohen me nga gjashtë muaj burgim dy policët e akuzuar për marrje ryshfeti

Dënohen me nga gjashtë muaj burgim dy policët e akuzuar për marrje ryshfeti
14 nëntor 2017 • 14 : 34

Gjashtë muaj burg efektiv, është dënimi që të martën, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar ndaj dy policëve të trafikut, Arben Shala dhe Tafa Murseli, të akuzuar për marrje të ryshfetit.

Për dënimin me burgim, Shalës dhe Murselit, i është dhënë mundësia që ta kthejnë në dënim me gjobë në vlerë prej 3600 euro secili. Tashmë të dënuarit, kanë pranuar që dënimi me burgim, t’u zëvendësohet me gjobë.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, gjykatësi Naser Foniqi, ka njoftuar palët se në emër të paushallit gjyqësor dhe shpenzimeve procedurale duhet të paguajnë edhe shumë nga 100 euro.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 8 nëntor të këtij viti, i akuzuari Tafa Murseli, ka mohuar që të ketë kryer veprën penale me të cilën ngarkohet. Kurse, i akuzuari tjetër Arben Shala, kishte deklaruar se do të mbrohet në heshtje.

Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzonte Arben Shalën dhe Tafa Murselin se në cilësinë e zyrtarëve policorë, më 20 shkurt 2014, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Prishtinë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

Ata, akuzoheshin se nga i dëmtuari Sevdaim Bakija, i cili kishte shkaktuar aksident duke vozitur në gjendje të dehur, kanë pranuar 100 euro, me qëllim që të njëjtit mos t’i hapet rasti penal.

© zëri.info