Rrëfimi i dhimbshëm i dëshmitarit: E pash Vukotiqin kur e ekzekutoi një 14-vjeçar në Studime

Kronika November 12, 2017 - 22:45


Në seancën e shqyrtimit gjyqësor në gjykimin e Zoran Vuketiqit, i cili akuzohet për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë, dëshmuan dy dëshmitarë.

Shaip Gerxhaliu tregoi se çka kishte ndodhur më 2 dhe 3 maj 1999 në kohën kur popullata civile e zonës së Vushtrrisë ishte dëbuar nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe.

Më 2 maj pasdite, tha Gerxhaliu, kanë ardhë dy fshatarë dhe u kanë thënë se të nesërmen, më 3 maj, të jenë gati për t’u nisur për në Vushtrri.

Pas kësaj kemi dëgjuar të shtëna, tha dëshmitari.

“Kur kemi shku në mes fshatit Studime e Epërme dhe Studime e Ulët, kolona e cila ka qenë  duke lëvizur e cila ishte e gjatë  6 deri në 7 kilometra është blloku. Dhe traktorët e parë janë ndal para shtëpisë time në  Studime të Ulët, Bajram Mullaku kishte shkuar në stacion policor për të biseduar dhe treguar se ne po dorëzohemi. Mirëpo atij dikush i kishte thënë që është ora policore dhe se deri të nesërmen duhet të qëndronim aty”, shtoi dëshmitari.

I pyetur nga prokurori se a erdhi dikush për të biseduar sa ishin aty të ndalur, Shaip Gerxhaliu deklaroi se me Rexhep Mullakun, Ekrem Mullakun, Naser Mullakun e Lutfi Mullakun kanë qëndruar në  këmbë para traktorëve dhe se ishte terr dhe krejt çka kanë parë është përmes rrezes së hënës.

Sipas dëshmitarit, ndërkohë kanë ardhur dy grupe të  serbëve.

Të parët kanë kërkuar t’u lëshohet rruga, ndërsa grupi i dytë, në mesin e të  cilëve ishte i akuzuari Zoran Vukotiq, kanë filluar me keqtrajtimet.

Gërxhaliu tha se është rrahur nga i akuzuari.

‘’Kur serbët e parë arritën, kërkuan me ju liru rrugën dhe kanë  kaluar në  fillim të kolonës. Ndërsa në grupin e dytë erdhi edhe Zoran Vukotiq, të cilin unë e kam njohur. Posa e pash e njoha dhe u largova nja 3 metra nga traktori im. Ai më pa, kërkoi luftë dhe me shajti nanën. Ndërsa daja Rexhep po qëndronte para tij, ai pas i kërkoi t’i afrohem atij”, tha dëshmitari.

Në vijim të deklaratës, Gerxhaliu tregoi se si gjatë kohës kur Rexhep Mullaku ishte nën shënjestrën e Zoran Vukotiq, një djali i ri kishte ikur nga disa policë të tjerë dhe më pas në prezencën e tij dhe gjithë të tjerëve ishte vrarë nga Zoran Vukotiq.

“Në momentin kur Zorani kishte në shënjestër Rexhep Mullakun, një  djalë duke ikur nga disa polic tjerë  e ka prekur në  krah Zoranin, të cilit i ra arma me tytë përtokë por rrypi i saj i mbet në  qafë. Ai e kapi për fyti djalin, duke i thënë: Edhe po ik a? E ka çu mbrapa traktorit duke e tërhequr prej rrobave. Djali disa herë është dëgjuar duke i thënë: “Pash Zotin që nuk më  vranë  se ende 14 vjet nuk i kam”. Pas kësaj djali ka vazhdu duke vrapu në ara (lëndinë). Ky me rafal ka gjujtë. Djali i çoi duart lartë dhe ra me fytyrë për toke. Ky shkoi u afrua afër e i dha edhe një plumb nga afër. Jam i sigurt që  e gjuajti në kokë”, tha dëshmitari Gerxhaliu.

Në fund të dëshmisë, i akuzuari i tha dëshmitarit se “e paske mësuar gabimisht tekstin”. Ndërsa, Gerxhaliu i tha që çdo gjë e provon puna, qoftë  për të mirë qoftë për të keqe.

Prokuroria Speciale e Republikësë së Kosovës e akuzon Zoran Vukotiqin për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, i akuzuari në mes datave 2 dhe 3 maj 1999, në kapacitetin e tij si zyrtar policor rezervist nga stacioni i policisë në  Vushtrri në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë nga radhët e forcave serbe, mori pjesë në  sulmin ndaj popullatës civile shqiptare, e cila po udhëtonte në kolonë nga fshati Studime e Epërme në Studime të Poshtme.

Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, popullata civile në  mënyrë të qëllimshme i është nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit johuman, vuajtjeve të pafunda, dëbimit, si dhe aplikimit të masave të terrorit.

Në  mesin e këtyre civilëve të  vrarë, plagosur dhe të trajtuar në  mënyrë johumane për të cilët i akuzuari bart përgjegjësi direkte ose në bashkëpunim me të tjerë ishin: Ekrem Mullaku, Xhavit Mullaku, Fatmir (Ahmet) Gerxhaliu, Eshref Rashica, Adnan Bunjaku, Ademi, një  14 vjeçar i paidentifikuar, Haki Ademi, Shaip Gerxhaliu dhe Musa Gerxhaliu.

Më pas, dëshmi ka dhënë edhe i dëmtuari Fatmir Parduzi.

Para trupit gjykues ai ka rrëfyer se çfarë  kishte ndodhur me 3 maj 1999.

Ai tregoi se si forcat serbe nën udhë heqjen e Zoran Vukotiqit i kishin ndarë  të gjithë meshkujt nga mosha 14 deri ne 65 vjeç dhe i kishin dërguar në  burgun e Smrekonicës.

Dëshmitari tha se kur i kishin dërguar atje kishte filluar keqtrajtimi i të burgosurve.

“Kemi përjetuar gjëra shumë të këqija sa kemi qëndruar aty. Kur jemi ulë  me hangër bukë Zorani vinte dhe e godiste tavolinën me dorë dhe pa filluar të  hanim thoshte: Çohuni!”, tha Parduzi.

Ai po ashtu tregoi për të rrahurat që i kishte përjetuar ai dhe gjithë të  burgosurit e tjerë.

Kur u pyet se a i është ofruar ndihmë mjekësore ndonjërit, ai tregoi se asnjëherëë, madje ende pa i ndarë në dhoma një i moshuar ishte shumë keq me shëndet dhe asnjëherë nuk i ka ndihmuar askush.

“Aty ka pasë edhe njerëz të semur mendërisht por as për ata nuk ka pasë  kurrfarëë konsiderate”, theksoi dëshmitari.

Parduzi tregoi se i akuzuari Zora Vukotiq lëshonte muzikë folklorike serbe, bënte grill në kohën kur ishte roje e burgut, pastaj i detyronte me u rrahë të  burgosurit mes vete, si dhe nga kjo merrte inspirim.

Në  pjesën e tretë të aktakuzës thuhet se i akuzuari mes datës 3 maj dhe fundit të qershorit 1999, i akuzuari duke vepruar edhe si roje burgu në  bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë kishte keqtrajtuar civilë shqiptare në  burgun e Smrekonicës.

Në mesin e civilëve të cilët i ishin nënshtruar trajtimit çnjerëzor dhe vuajtjeve të  pafundme përmes torturës, rrahjes, e keqtrajtimeve të tjera për të cilat i pandehuri bart përgjegjësi direkte ose në bashkëkryerje me të tjerët ishin:  Sabit Kadriu, Musa Mustafa, Musli Uka, Fatmir Parduzi, Bekim Musa, Shefket Binaku, Gani Hajredinaj, Azem Osmani, Safet Osmani, Izet Ferati, Driton Ferati, Sabit Gerxhaliu dhe Beqir Ferati.

Zoran Vukotiq ishte ekstraduar nga Mali i Zi në Kosovë në nëntor të vitit 2016./kallxo.com/