Apeli i Mitrovicës do t’i trajtojë mbi 40 mijë lëndë të kontesteve pronësore

Kronika November 10, 2017 - 08:24

Mbi 40 mijë raste (lëndë) që kanë të bëjnë me konteste pronësore të rajonit të Pejës dhe të Klinës, që janë humbur si rezultat i një numri të madh të kontratave fiktive, do të shqyrtohen në Njësinë e Gjykatës së Apelit të Kosovës në Mitrovicë. NSS: Në veri nuk ka ligje, mbretëron “Perëndimi i egër”, shkruan sot, gazeta Zeri.

Me fillimin e punës së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, të Prokurorisë Themelore e në veçanti i Njësisë së Gjykatës së Apelit të Kosovës në veri të Mitrovicës ka bërë që vakuumi juridik në veri të Kosovës të hiqet dhe të fillojë funksionimi i sistemit të drejtësisë. Pas 18 vjetëve gjykatat dhe ligjet kanë filluar të funksionojnë në pjesën veriore të Kosovës dhe në këtë mënyrë qytetarët e asaj pjese ndiejnë të drejtën.

Dushan Radakoviq, drejtor i Qendrës për Përfaqësim të Kulturës Demokratike në veri të Mitrovicës, e cila monitoron punën e gjykatave me miratimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka thënë se funksionimi i gjykatave ka qenë nevojë e madhe për qytetarët e pjesës veriore të Kosovës.“Faktikisht pas 18 vjetëve Gjykata dhe ligjet fillojnë të funksionojnë në veri të Kosovës me kapacitet të plotë.

Gjykata fillon punën, është bërë ndarja e zyrave, gjyqtarët paraqiten në punë. Ky është fillim i mirë sepse pas 18 vjetësh mund të ndiejmë se si funksionon një gjykatë, që është nevojë e madhe për qytetarët”, ka thënë Radakoviq për mediet në veri. Ai ka folur edhe për sfidat me të cilat do të përballen gjykatësit e integruar dhe prokurorët. “Në këtë drejtim, gjykatësit më të rinj që janë integruar kanë 18 vjet përvojë të punës, do të thotë kemi të bëjmë me gjykatës me shumë përvojë në ndarjen e drejtësisë, por paraprakisht do të punohet në tejkalimin e diferencave që janë në Ligjin Penal.

Tjetër gjë është që vetë sistemi kosovar administrativ, gjuha, përkthimet, ndarja e lëndëve, krejt këto do të jenë sfida për gjykatësit dhe prokurorët në fillim të punës në kuadër të gjyqësorit të integruar”, ka shtuar Radakoviq, i cili ka shprehur mendimin e tij se sa më shpejt të fillohet puna e gjykatësve dhe e prokurorëve në lëndët konkrete do të jetë mirë për qytetarët. Sipas Radakoviqit, punë të madhe do të ketë edhe Gjykata e Apelit e Kosovës, Njësia në Mitrovicë. “Gjykata e Apelit, Njësia në Mitrovicë, do të ketë shumë punë sepse janë mbi 40 mijë raste (lëndë) që kanë të bëjnë me konteste pronësore të rajonit të Pejës dhe të Klinës, janë kontestuese sepse prona është humbur për shkak të numrit të madh të kontratave fiktive”, ka thënë Radakoviq, duke shtuar se ACDC-ja do të vazhdojë ta monitorojë punën e gjyqësorit në veri të Kosovës dhe se për këtë ka marrë dritën e gjelbër nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. 

Qendra për Përfaqësim të Kulturës Demokratike – ACDC ka prezantuar para studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit serb të Prishtinës, selia e të cilit është në veri të Mitrovicës, pjesë të projekti “Administrata dhe reforma juridike”, me qëllimin që studentët e veriut të kenë mundësi t’i vizitojnë institucionet gjyqësore dhe të njoftohen me punën dhe me funksionimin e sistemi gjyqësor të Kosovës. 

Drejtori i ACDC-së, Dushan Radakoviq, tha se studentët që studiojnë juridikun kanë vizituar të gjitha institucionet gjyqësore dhe kanë marrë njohuri se si mund  të inkuadrohen në sistemin kosovar të drejtësisë për të kryer punën praktike pas përfundimit të fakultetit. Radakoviq ka ripërsëritur se studentët kanë vizituar KGJK-në, Gjykatën Supreme të Kosovës, Gjykatën Kushtetuese, Odën e Avokatëve, Gjykatën Themelore të Prishtinës, Degën në Graçanicë, si dhe Gjykatën e Apelit, e cila sipas Radakoviqit është shumë e rëndësishme për serbët e Kosovës për shkak se do t’i zgjidhë kontestet pronësore.

Edhe studentët serbë të veriut të Kosovës që ndjekin studimet në Fakultetin Juridik në Universitetin e veriut janë shprehur të interesuar që pas përfundimit të studimeve të inkuadrohen drejtpërdrejt në gjykata në gjithë Kosovën. Njëri prej tyre, Dragan Millojeviq, tha se shumica prej kolegëve të tij mendojnë të mbesin në Kosovë dhe për këtë arsye u nevojitet të njoftohen me ligjet e Kosovës.

Ndërkaq, avokati Dejan Vasiq është shprehur se puna praktike dhe njohja me ligjet është shumë e rëndësishme. “Diferencat që ekzistojnë mes ligjeve nuk janë të mëdha, por në njëfarë kuptimi janë të rëndësishme. Në këtë kuptim, nëse studentët i përcjellin konkurset për pranim të vullnetarëve në zyrat e avokatëve në veri të Kosovës mendoj që dija që kanë mund t’u shërbejë që të bëhen juristë të mire”, ka thënë mes tjerash Vasiq.

Në anën tjetër Vlladimir Todoriq, nga NSS-ja, dhe Dragan Popoviq, drejtor i Qendrës për Praktikë Politike në veri të Mitrovicës, janë shprehur kundër formës së betimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve serbë para presidentit Hashim Thaçi. Ata thonë se betimi para presidentit të Kosovës i gjyqtarëve dhe i prokurorëve serbë ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Serbisë, si dhe ka bërë që Serbia t’i shuajë institucionet gjyqësore në territorin e Kosovës. Todoriq ka vlerësuar se veriu i Kosovës ku jetojnë serbët është rajoni më i pambrojtur, “ku pushtetin e mbajnë kriminelët, ku qytetarët i frikësojnë në forma të ndryshme, ku nuk ka gjyqësi e as polici për të kërkuar mbrojtje”. “Krejt çfarë bën pushteti në atë pjesë, e bën fshehtë. Kemi ardhur në aktin e kryer, janë shkelur të gjitha ligjet dhe urdhëresat, në veri të Kosovës mbretëron ‘Perëndimi i egër’. Na duhet atje një shoqëri normale”, ka thënë mes tjerash Todoriq.