Qytetarët e Kosovës nuk kanë siguri, iu keqpërdorën të dhënat personale

Kronika October 21, 2017 - 23:02

Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale mbron qytetarët e Kosovës nga shkeljet e privatësisë. Mirëpo, jo gjithmonë respektohet privatësia e qytetarëve.

Drejtori  i Departamentit për Marrëdhënie me publikun në Agjencinë për mbrojtjen e të dhënave personale për Indeksonline ka thënë se   gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, janë ankuar 46 persona. Nga këto ankesa të ndryshme dy kanë qenë për përpunim të kundërligjshëm të karakteristikave biometrike.

“Gjatë periudhës janar – tetor 2017, Agjencia ka pranuar gjithsej 46 ankesa, të cilat, në një formë apo tjetër, lidhen me shkeljen e privatësisë. Ankesat, të cilat i adresohen Agjencisë nga qytetarët janë kryesisht të natyrës që lidhen me shkeljet e pretenduara ndaj dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e këtu hyjnë shkeljet që ndërlidhen me përpunimin e kundërligjshëm të dhënave personale, shkeljet rreth vëzhgimit me kamera, përpunimit të panevojshëm të dhënave biometrike, tejkalimin e afateve të ruajtjes së të dhënave, marketingun e drejtpërdrejtë, shkeljet e privatësisë në rrjetet sociale, mosrespektimi i të drejtës për qasje të subjektit të dhënave, etj.  Gjatë këtij viti, Agjencia ka pranuar 2 ankesa rreth shkeljeve të pretenduara për përpunim të kundërligjshëm të karakteristikave biometrike” ka thënë Jeton Arifi.

E shkeljet më të mëdha të privatësisë së qytetarëve janë në sektorin privat, shkruan Indeksonline.

“Nga janari deri në tetor 2017, ndaj sektorit privat është raportuar numër më i madh i shkeljeve (28 sosh), ndërsa nga sektori publik (institucionet e shtetit) janë pranuar 18 ankesa” ka thënë me tutje Arifi.

Arifi ka thënë se në agjenci jo rrallë vinë edhe ankesa për mospërfilljen e kërkesave për qasje në dokumente publike, mirëpo që Agjencia nuk është e mandatar prandaj edhe nuk mund të shqyrtoj këto lloje të ankesave.

Ai ka informuar po ashtu se  Ligji për Qasje në Dokumente Publike është në plotësim-ndryshim dhe se mbikëqyrja e zbatimit të njëjtit (pas ndryshimeve) do ti jepet Agjencisë.

Aktualisht, të dyja ligjet (LMDHP dhe LQDP) janë duke u ndryshuar në paketë dhe do të hyjnë në fuqi përnjëherë pas ndryshimeve të kompletuara