Lirohet serbja e dyshuar për krime lufte në Kosovë

Kronika October 21, 2017 - 22:20

Prokuroria Speciale e Kosovës e ka liruar nga akuzat Milanka Terziqin (63), e cila para rreth 10 ditësh është arrestuar në pikëkalimin kufitar të Jarinjes nën akuzën e Gjykatës Themelore të Pejës se ka kryer krime lufte.

Sipas mediave serbe, Milanka është raportuar nga një fqinj i saj në fshatin Llukaci Begut (Begaj) në Istog, ku Terzeqi ka në pronësi 12 hektarë tokë, se ka marrë pjesë në rrënimin e shtëpisë së tij.

Milanka, për “Novosti” ka thënë se “e kam ditur nga fillimi se ky do të jetë epilogu sepse nuk ka kurrfarë dëshmish që unë kam kryer krime lufte dhe vepra penale”, transmeton Koha.net.

Ajo ka falënderuar stafin e Patrikanës së Pejës, ku ka qëndruar për një javë në arrest shtëpiak, nën mbikëqyrje policore.

Milanka thotë se ka një numër rastesh të ngjashme të “paraburgimit të serbëve me akuza të rrejshme të shqiptarëve” dhe ka shtuar se rastin e saj do ta dërgojë në gjykatën e Strasburgut ndërsa do ta akuzojë edhe fqinjin e saj i cili e ka raportuar, siç thotë ajo, “në mënyrë të paligjshme”.

Kujtojmë se kundër Milana Terziqit është ngritur aktakuzë për krime lufte më 21 shkurt të këtij viti.