Hudhet aktakuza ndaj dy punëtorëve të KUR “Prishtina”

Kronika October 21, 2017 - 21:19

Gjykata Themelore në Prishtinë ka hudhur poshtë aktakuzën e ngritur më 27 mars 2017, kundër të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Salih Gjonbalaj dhe Ylber Zabërgja, që të dy punëtorë të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal (KUR) “Prishtina”.

Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 17 tetorit 2017, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, e ka hudhur aktakuzës e prokurorisë, ndërsa palën e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike e ka udhëzuar në kontest juridiko civil.

Ndër të tjera në aktvendimin për hudhjen e aktakuzës, thuhet se sipas shkresave të lëndës dhe provave të prezantuara si nga prokurori ashtu edhe nga i pandehuri Salih Gjonbalaj dhe mbrojtësi i të pandehurit Ylber Zabërgja, avokati Florin Vërtopi, rezulton se këta të pandehur si persona zyrtarë brenda përgjegjësive të tyre nga aktemërimi nuk kanë kryer asnjë veprim me të cilin do të konsumonin elementet objektive dhe subjektive të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të Kodit Penal të Kosovës.

Kundër aktvendimit për hudhjen e aktakuzës pala e pakënaqur ka të drejtë ankese brenda pesë  ditësh nga dita e pranimit të aktvendimit në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, në seancën e dytë të mbajtur më 28 gusht 2017, për këtë rast të akuzuarit dhe avokati Florin Vërtopi, kishin kërkuar që gjykata këtë aktakuzë ta hudhë poshtë.

Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte kërkuar prokurorisë që të përgjigjet rreth kualifikimit të veprës penale ndaj punëtorëve të KUR “Prishtina”, Salih Gjonbalaj dhe Ylber Zabërgja, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjyqtari Hamdi Ibrahimi, kishte kërkuar nga prokurorja Habibe Salihu të përgjigjet ndaj dilemave që ishin shtruar në lidhje me kualifikimin e veprës penale.

Ibrahimi kishte thënë se ekziston dilema se cilën vepër penale e kanë kryer të akuzuarit, pasi sipas tij, për të kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, kusht themelor është që personi të fitojë dobi materiale për vete apo dikë tjetër. Ndërsa, sipas Ibrahimit në këtë rast sipas aktakuzës, dy punëtorët nuk kanë përfituar diçka, me hyrjen në pronën e Raza Sahqirit, tashmë e dëmtuar në këtë proces.

Prokurorja me parashtresat e datës 25 shtator dhe 13 tetor të këtij viti, kishte propozuar gjykatës që të refuzohen kërkesat për hudhjen e aktakuzës.

Sipas aktakuzës, Salih Gjonbalaj, në cilësinë e personit të autorizuar nga kryeshefi ekzekutiv i KUR “Prishtina”, për përcjelljen dhe mbikëqyrjen e projektit “Fabrika e re e ujit” në Shkabaj, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare. Prokuroria, pretendon se Gjonbalaj nuk kishte vepruar sipas procedurës për hapjen e xhirollogarisë së mirëbesimit sipas Ligjit mbi Shpronësimit të Pronës së Paluajtshme 03/L-139, për të krijuar rrethanat që të punohej në pronën e të dëmtuarës, Raza Shaqiri.

Gjithnjë, sipas aktakuzës, ky veprim ka qenë në kundërshtim më këtë ligj dhe me këtë Gjonbalaj, ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Kurse, i akuzuari tjetër, Ylber Zabërgja, sipas aktakuzës, me dashje e kishte penguar të dëmtuarën, Raza Shaqirin në shfrytëzimin e të drejtës së saj pronësore, duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar.