Ja sa vite mund të denohet Milaim Zeka

Kronika October 18, 2017 - 10:18

Po që se për dyshimet e Prokurorisë ndaj Milaim Zekës ngritet aktakuzë e më pas ato vërtetohen në gjykatë, deputeti mund të dënohet me rreth 7 vite burg.

Kjo pasi prokuroria e bëri të dyshuar Zekën për ‘krim të organizuar’, vepër që dënohet me më së paku 4 vite, e po ashtu edhe për veprën ‘mashtrim dhe shmangie nga tatimi’, dënimi mund të shkojë nga 1 deri në 3 vite heqje lirie, shkruan gazetametro.net.

Kështu, të paktën, ka thënë për Gazetën Metro avokati Gazmend Halilaj, i cili dje por edhe sot përsëriti se këtu dyshime nuk qëndrojnë.

‘Për t’u dyshuar për vepra që lidhen me krimin e organizuar ajo duhet me qenë e ndërlidhur me vepra që dënimi mund të jetë minimum 4 vjet, ndërsa veprat për të cilat dyshohet i mbrojturi im, fillojnë prëj 1 viti, ose prej 3′, ka thënë avokati.

Ndërkaq, ai nuk pajtohet edhe me masën e arrestit shtëpiak që iu dha dje klientit të tij. Ai thotë se veçse kanë bërë gati ankesën, shkruan Metro.

‘Gjykata do të vërtetojë se është krejtësisht i pafajshëm, mirëpo ne jemi në përfundim e sipër të ankesës, diku brenda një orë do dorëzohet në Gjykatë të Apelit, duke kërkuar të lirohet me procedurë të rregullt. Ankesa bëhet për shkak të vërtetim i gabuar dhe jo i plotë i gjendjes faktike edhe aplikim i gabushëm i të drejtës materiale,’ u shpreh Halilaj.

Me anë të ankesës, avokati synon se do ta lirojë Zekën. Halilaj shpreh respektin për Gjykatën Themelore, mirëpo beson se Apeli do ta lirojë klientin e tij.

‘Do respektojmë Gjykatën Themelore, por besojmë që Gjykata e Apelit do japë vendim edhe më të arsyeshëm duke e liruar nga cilado masë, për faktin se pretendimet e Prokurorit se rasti ka të bëjë me krim të organizuar, nuk qëndrojnë’, përfundoi Halilaj.

Ndryshe, deputetit Zeka iu caktua dje masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Zekës iu konfiskua edhe pasaporta.