Dështon dekretimi i gjyqtarëve në veri, fajësohet BE-ja

Kronika October 18, 2017 - 08:33

Qeveria e Serbisë ka urdhëruar gjyqtarët serbë që të mos shkojnë te presidenti i Kosovës Hashim Thaçi për të bërë betimin, të martën, por nuk ka sqaruar për shkaqet e ndalesës. Presidenca fajin ia hedh Bashkimit Evropian, duke thënë se ka treguar paaftësi në realizimin e kësaj marrëveshjeje si ndërmjetësues në këtë proces, transmeton zeri.info.

Dy autobusë të angazhuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës po prisnin gjyqtarët serbë para marketit ETC në jug të Mitrovicës, në cep të urës në jug të Ibrit, të martën nga ora 8:00, për t’i shpjerë në Prishtinë në Presidencën e Kosovës për t’u dekretuar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe në këtë mënyrë përfundimisht të bëheshin pjesë e sistemit kosovar të drejtësisë, ashtu siç ishte arritur marrëveshja në mes të presidentëve, Thaçi dhe Vuçiq. Pas një pritjeje të gjatë autobusët janë kthyer në Prishtinë pa gjyqtarët serbë pasi kishin marrë njoftimin se atyre u është ndaluar nga Beogradi që ta anulojnë shkuarjen në Prishtinë dhe të mos e bëjnë betimin, të martën.

Dekretimi i gjyqtarëve serbë nuk ka ndodhur sepse, siç përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, ata kanë marrë urdhër nga Beogradi që të mos paraqiten te Thaçi të martën, “por që kjo të ndodhë një ditë tjetër”.

Megjithatë Beogradi është zotuar se gjithçka do të rregullohet deri të premten, në mënyrë që nga e hëna, 23 tetor, të fillojë të funksionojë Gjykata Themelore në veri të Mitrovicës sipas sistemit kosovar të drejtësisë. E sikur gjyqtarët serbë të betoheshin të martën ashtu siç ishte planifikuar, atëherë Marrëveshja për Gjyqësorin e Integruar, e arritur në mes të Thaçit dhe Vuçiqit, do të konsiderohej i zbatueshëm pikë për pikë, respektivisht zbatimi i saj do të konsiderohej i filluar më 17 tetor, ashtu siç janë dakorduar dy presidentët. /Zeri/ (Lexoni shkrimin e plote ne numrin e sotem te gazetes Zeri)