Ky është vendimi i Prokurorisë për Milaim Zekën

Kronika October 16, 2017 - 17:11

Deputeti i Nismës Milaim Zeka është arrestuar sot nga Policia e Kosovës.

Atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.  Lajmin e kanë konfirmuar zyrtarë të Prokurorisë së Kosovës.

Milaim Zeka u ndalua për 48 orë si i dyshuar për veprën penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, vepër kjo nga e cila dyshohet se Zeka ka qenë i implikuar në grupin e organizuar në mashtrimin e qytetarëve që kanë aplikuar për viza pune në Gjermani.

“M.Z është ndaluar për 48 orë për veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 paragrafi 1 lidhur me veprat penale mashtrimi nga neni 335 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-se, dhe shmangia nga tatimi nga neni 313 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 te KPRK-se”, ka thënë për Express, Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Arrestimi i ish-gazetarit është bërë nga Njësiti i krimeve ekonomike i Policisë së Kosovës, të hënën, gjatë mesditës, raporton Gazeta Express. 

Arrestimi i Zekës ka ndodhur pak ditë pasi portali ‘Insajderi’ ka publikuar hulumtimin për këtë skandal me viza, në të cilin dyshohet se Zeka ka qenë i implikuar, duke krijuar një biznes të tillë bashkë me partnerin e tij biznesmen, Ilir Krasniqi. 

920 kosovarë kanë provuar të emigrojnë në Gjermani me viza pune nëpërmjet një agjencie punësimi, e cila në fakt ishte një skemë mashtrimi e deputetit Milaim Zeka dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi, ka raportuar Insajderi, më 3 tetor të këtij viti. 

Sipas hulumtimit të kësaj gazete, aplikantët kanë paguar nga 50 euro deri në 3500 euro për një vizë pune. Por, në vend të punësimit dyshohet se aplikantët janë gjendur brenda një skeme mashtrimi, të cilën Prokuroria ka nisur hetimet për krim të organizuar, mashtrim dhe shmangie nga tatimi. 

Partneri i Zekës, Ilir Krasniqi, tashmë ndodhet në paraburgim, pasi për të njëjtën skemë ishte arrestuar para disa javësh. /GazetaExpress/