Ende asnjë i ndalur për dy vrasjet në Shqipëri

Kronika October 14, 2017 - 19:41

Ngjarja e rëndë në Shqipëri ku humbën jetën dy të rinj dhe u plagosën dy të tjerë vazhdon të mbetet një ngjarje që ende nuk ka një të ndaluar, shkruan Top Channel.

Policia e Lushnjës së bashku me prokurorinë dy ditë më parë njoftuan se identifikuan dy nga tre autorët që kanë qenë në vendin e ngjarjes.

Sipas policisë Laert Haxhiu dhe Orgest Bilbili janë dy personat që sipas tyre janë identifikuar, ndërsa mbetet enigmatik personi i tretë që ka qenë bashkë me ta.

Ditën e djeshme u shoqëruan në komisariat shtetasi Julian Sula, i cili u pyet nëse kishte dijeni për ngjarjen apo jo.

Shoqërimi i tij u bë pasi më 12 qershor të vitit 2016 Julian Sula u plagos rëndë me thika nga Arian Alico dhe Xhino Alico, por në vendngjarje thuhet se kishin qenë dhe nipi i Aldo Bares, Xhuljo Shkurti dhe Sajmo Xheliu.

Për këtë ngjarje policia e Lushnjes akuzoi si autor Laert Haxhiun. Duke parë rrethanat dhe kohën se kur ndodhën ngjarjet dhe lidhjet mes Sulës dhe Haxhiut, policia po hetonte nëse kjo ngjarje është inskenuar nga Sula apo jo.

Në shoqërimin e së premtes, Sula ka thënë përpara hetuesve se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe nuk njihet me autorët e dyshuar. Për asnjë çast ai nuk ka pranuar asnjë gjë.

Pas 4 orë pyetje Sula u la i lirë. Sula është një nga të shumtë persona që janë shoqëruar e marrë në pyetje. Sipas prokurorisë në pyetje janë marrë familjarë të të dy palëve dhe të autorëve të dyshuar dhe të viktimave.