Rektori Dema: Fituesin e tenderit gjysmë milionësh të librave me Enver Hasanin e vendosëm në restorant

Kronika October 12, 2017 - 13:49

Rektori aktual i Universitetit publik të Prishtinës (UP), Marian Dema, ka dëshmuar në Gjyq të enjten për tenderin gjysmë milionësh të përkthimit të librave, për të cilin po gjykohen për korrupsion Enver Hasani, në cilësinë e ish-rektorit të UP-së, Hakif Veliu, ish-shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN)

Në dëshminë e tij rektori Dema deklaroi se në Restorantin “Te Pishat” u vendos që tenderi për përkthimin t’i jepej Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN).

“Është shpallë tenderi por dy herë ka dështuar, siç më kujtohet herën e tretë me këmbënguljen e Enver Hasanit është mbajtur dhe ne jemi takuar me agjencionin për prokurim  në restorant ‘Pishat’, e pas kësaj ky organ ka bërë revokimin e një neni që t’i jepet tenderi operatorit në fjalë”, tha Dema, raportoi Kallxo.com.

Dema tha tutje se “Me dhjetëra herë Enver Hasani më ka pyetur se çka po ndodh me tenderin e përkthimeve, afërsia e tij me këtë institut [fituesin e tenderit- OJQ’në e Rakipit nga Shqipëri] është e mjaftueshme që dëshmon atë që thashë”.

Rektori në dëshminë e tij në gjyq tha se në takimin në restorant morën pjesë Enver Hasani, Hakif Veliu dhe personat që merren me prokurim në Universitetin e Prishtinës.

Dema tha se në takim është diskutuar që të shkohet me tender njëburimor, pra vetëm me një operator ekonomik për përkthim librash, ndërsa deklaroi më tutje se atëherë ka menduar që është me të vërtetë prioritet përkthimi i librave.

Rektori aktual i UP’së, Marian Dema, duke provuar të shfajësojë veen, tregoi cila ishte detyra e tij dhe e komisionit për organizim të punëve.

“Detyrë imja ka qenë vetëm të caktoj komisionin për organizim të punëve, ndërsa detyrë e komisionit ka qenë që të kontrollojë shërbimin për të cilin është bërë pagesa. Nuk ka qenë detyrë e tyre qe te merren me çmimet e shërbimeve”, tha rektori Dema.

Sipas aktakuzës së Prkurorisë Speciale të Kosovës, Enver Hasani, Alber Trakimi e Hakif Veliu si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro, dhe ata e bënë që pagesa të bëhej me kontratëne falsifikuar duke llogarit me të njëjtin çmim jo tashmë çdo fjalë, por çdo karakter.

Gazeta Express më 15 janar të viti 2014 kishte publikuar hulumtimin “Tenderi që e lidh fortë Enver Hasanin me korrupsionin”, gjetjet e të cilin janë kryesisht edhe pretendimet e sotme të Prokurorisë speciale kundër të akuzuarve të rastit.

Hulumtimi i Express pati gjetur se në një hulumtim se UP’ja nën drejtimin e Enver Hasanit e kishte lidhur këtë kontratë me një kompani të papërgjegjshme nga Tirana dhe në të cilën, së paku për një kohë, kishte qenë i angazhuar vetë Hasani, tash kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe me drejtorin ekzekutiv të së cilës, Albert Rakipin, Enver Hsani gjendet disa herë i lidhur në projekte shkencore.

Krejt historia nisi në korrikun e viti 2008, kur UP’ja shpalli tenderin “Përkthimi i Librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe”, me të cilin u shpërblye afro katër muaj më vonë, në muajin nëntor u shpërblye kompania “Instituti i Studimeve Ndërkombëtare ” me qendër në Tiranë.

Njoftimin për dhënie të kontratës në fjalë, në emër të UP’së, e nënshkroi Hakif Veliu, shef i Prokurimit në UP, i cili po si shef prokurimi do ta ndiqte Enver Hasanin edhe kur ky u zgjodh në Gjykatën Kushtetuese, kurse nga ana e kompanisë nga Tirana, këtë dokument e nënshkroi vetë Albert Rakipi.

Për çudi, kontrata nuk pati një vlerë fikse dhe kjo kontratë u lidh me çmim për njësi, apo thënë ndryshe, sipas kontratës UP’ja do t’i detyrohej kompanisë ku për një kohë u angazhua Enver Hasani, nga 12.65 euro për çdo 1 mijë fjalë të përkthyera.

Gazeta “Koha Ditore” në prill të vitit 2013 kishte se librat që u përkthyen me këtë tender, 8 sosh, kurrë nuk kanë ardhur në Kosovë. Gazeta shkruan që për këto tetë libra të përkthyera nga kompania private e Albert Rakipit, ku për një kohë qe i angazhuar edhe Enver Hasani e që në Shqipëri është regjistruar si OJQ, Universiteti publik i Prishtinës pagoi mbi gjysmë milioni euro.

Para gjyqit të enjten Marian Dema Dëshmitari tregoi se vetëm në vjeshtën e vitit 2009 kishte mësuar se ishte bërë ndryshimi i kontratës kur me ftesën e Enver Hasanit ishin takuar së bashku me Hakif Veliun në një restorant në Gërmi.

Po ashtu ai deklaroi se këtë kontratë për herë të parë e ka parë vetëm dy para dy ditëve kur mori dosjen për të ardhur në gjykim dhe tregoi edhe për një takim tash në një restorant të Tiranës ku bëri të ditur se e kishte marrë vesh që tash dy të akuzuarit Enver Hasani e Albert Rakipi njiheshin mirë.

“Në atë ndejë e kanë revokuar të kaluarën e tyre ngase unë nuk kam marrë pjesë se nuk njihesha me ta. Ka qenë darkë, kanë biseduar ndërmjet vete, nuk është biseduar për kontratën”, tha Dema.

Në dhjetor të vitit 2015, Enver Hasani, Albert Rakipi e Hakif Veliu u deklaruan të pafajshëm.