Arrestohet gruaja që joshi me akullore një burrë në Prizren

Kronika October 02, 2017 - 20:49

Pas një pune hetimore dy mujore, tanimë është arrestuar H. D. femër, shtetase e Shqipërisë, mbi bazën e dyshimit se e njëjta ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë e vrazhdë”.

Policia thotë se shtetasja e Shqipërisë, më datën 07 gusht, në një pastiçeri të një qendre tregtare në Prizren, e kishte joshur një të ri për akullore në të cilën, thotë Policia, “me gjasë i kishte hedhur qetësues dhe më pas e kishte shoqëruar në një dhomë hoteli”.

“Pas pak viktima kishte humbur vetëdijen, ndërkaq e dyshuara ia kishte vjedhur një sasi të konsiderueshme të parave dhe telefonin mobil dhe kishte ikur në drejtim të panjohur. Gjatë intervistës, në prani të avokatit mbrojtës, është bërë e ditur se e njëjta kishte kryer edhe një rast të ngjashëm në Prizren”, thuhet në njoftimin për media të Policisë së Kosovës.

Pas intervistës, sipas Policisë, është informuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar që e dyshuara të ndalët nën masën e arrestit.

Hetuesit besojnë se e dyshuara e këtij rasti mund të ketë kryer edhe raste tjera por që nuk janë raportuar në polici.