Flet personi që pa sulmin në Kuvendin e Kosovës, ja çfarë kishte ndodhur

Kronika September 22, 2017 - 12:01

Në gjykimin për sulmin me raketahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, në gusht të vitit të kaluar, për të cilin po akuzohen aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi e Egzon Haliti, dëshmoi Egzon Metolli.

Metolli ndodhej afër ndërtesës së Kuvendit kur ndodhi sulmi dhe ishte personi i parë që kishte lajmëruar policinë për këtë sulm.

Ai tregoi në gjykatë se si u zhvillua ngjarja.

“Unë kam qellu aty prapa muzeut në momentin e gjuajtjes. Ka qenë mbrëmje, ora 17:00- 18:00, data nuk më kujtohet. Zhurma ishte shumë e fuqishme, a ka qenë zollë, apo mjet tjetër i shpërthimit nuk e di”, tha Metolli.

Ai tregoi se çfarë ndodhi më tutje.

“Unë isha me dy shokë. Pas të shtënës ka kaluar një motor me dy persona në të. I pari nuk ka pasur helmetë, por kur ka kaluar nga ne është përpjekur që ta mbulojë fytyrën me duar, ndërsa personi i dytë ka pasur helmetë”, sqaroi dëshmitari.

Ai më tutje përshkroi motorin me të cilin u larguan ata që mendohet se e sulmuan Kuvendin.

“Motori ka qenë shumë i thjeshtë. Nuk kam vërejtur ndonjë specifikë tjetër, por nëse nuk gaboj ngjyra ka qenë e kuqe. Kam qenë 3 deri 5 metra larg kur ka kaluar motori. Shpejtësia ishte maksimale, besoj rreth 50 kilometra në orë”, shpjegoi Metolli.

Kur u arrestuan aktivistët e Vetëvendosjes të dyshuar për sulmin në Kuvend, policia dhe prokuroria pretendonin se ata janë larguar me një motor nga vendi i ngjarjes, motor që më pas ishte gjetur i djegur.

“Unë e dija se personat të cilët i pashë ishin ata të cilët janë fajtorë për këtë të shtënë. Unë lajmërova policinë dhe i informova për atë që kisha parë. Policia më pas kishte informuar se motori ishte djegur afër ‘Taukbahçes’”, vazhdoi rrëfimin Egzon Metolli.

Dëshmitarit më pas iu kërkua nga prokurori të përshkruajë personat që kishte parë duke u larguar pas sulmit.

“Të dytë ishin të mëdhenj dhe të trashë. Drejtuesi i motoçikletës ishte pa flokë, ndërsa personi i dytë i cili kishte helmetë i kishte flokët e gjata”, tha dëshmitari.

Aktakuza ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje u ngrit më 29 dhjetor të vitit që lamë pas. /kallxo.com/