Veliaj zbulon vjedhjen e organizuar të parave të shtetit

Kronika September 21, 2017 - 13:51

“Prej 1 milion e 400 mijë eurove që janë paguar nga MPB, 30 mijë ia kam dhënë kesh Bashkim Shalës, 650 mijë Besnik Berishës. 150 mijë i kam qit në llogari të Bujar Canollit në emër të rinovimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, 160 mijë janë paguar Doganë edhe TVSH” – shpjegon Natali Velija rrjedhën e parave. Të gjitha këto janë bërë në marrëveshje me pronarin e kompanisë OeSD.

Natali Velija ka marrë një ofertë nga shteti i saj – Gjermania. I kanë ofruar që të transferohet atje për ta vuajtur dënimin. Nëse do të shkonte – tashmë do të ishte e lirë. Në Gjermani një ditë burgim llogaritet dy.

Por, ajo ka refuzuar.

Këtë ka thënë se e ka bërë për të dëshmuar deri në fund se çfarë ka ndodhur me tenderin milionësh për të cilin është dënuar. Të fortit, siç thotë ajo, nuk janë prekur. Ata janë pronarët dhe drejtuesit e kompanisë austriake OeSD dhe njerëzit e lidhur me politikën.

Në pjesën e dytë të intervistës me Natali Velijajn, Insajderi sjell detaje të takimeve, negociatave e ryshfeteve të dhëna për tenderin.

Zbulon përfitimet e një biznesmeni, që pakkush mund ta ketë pasur fatin e tij. Bujar Canolli, kishte hapur firmën “IN AUS TERM” më 8. 11. 2011. Të nesërmen kishte hapur një llogari bankare në Bankën NLB Prishtina.

Dy ditë pas hapjes së firmës, 150 mijë euro në llogari

Image

Image

 

Për dy ditë rresht ai kishte vetëm pesë euro në llogari. Por, një shumë e madhe parash i kishte ardhur nga kompania austriake, OeSD. Fiks 149 mijë e 950 euro. Paratë ishin të destinuara për “rinovimin” e qendrës për prodhim të pasaportave në MPB.

Rinovimi nuk është kryer kurrë.

Për të kryer rinovime të tilla, një institucion shtetëror duhet të shpallë tender dhe të paguajë vetë, e jo të paguhet nga dikush tjetër.

Ditën e deponimit të parave, Canolli kishte tërhequr 15 mijë euro. Kështu, për një muaj kishte tërhequr kesh të gjitha këto para.

Ky detaj për Natali Velija është njëri prej shumë tjerëve të përfshirjes së përfaqësuesve të kompanisë austriake dhe atyre të MPB-së në korrupsion.

Ajo pa hezitim e pranon se ishte seksere e të gjitha këtyre marrëveshjeve korruptive.

Velijaj thotë se këto dëshmi ia ka dhënë Prokurorisë, por që prokurori i EULEX-it nuk ka dashur t’i hetojë.

Detaj pas detaji ajo zbulon gjithë ngjarjen, vetëm gjysmën e së cilës pretendon se e ka dëgjuar Prokuroria.

Nis prej momentit të kontaktit me Bashkim Shalën, të cilit thotë se ia ka dhënë 30 mijë euro para të thata në dorë.

Ka shpjeguar se kompania austriake ka qenë e kualifikuar së bashku me dy kompani tjera: një sllovene prapa së cilës qëndronte Ekrem Lluka, dhe një kroate e lidhur me Bashkim Shalën, njëri i afërm i kryeparlamentarit, Kadri Veseli.

Ajo tregon momentin e marrjes së telefonatës nga Bashkim Shala, në vitin 2011.

“Bashkimi më ka thirr prej Kosove sa isha në Gjermani”, tregon ajo.

Velijaj ka thënë se arsyeja pse ishte kontaktuar ajo, ishte se me njërin prej drejtuesve të kompanisë OeSD kishte punuar me organizatën humanitare “ADA”. Për këto detaje, thotë se EULEX-it i ka kërkuar që të marrë listingun e thirrjeve në PTK, kërkesë kjo e refuzuar.

“Unë kam ardhë në Kosovë edhe jam taku me Bashkimin. Thash unë e gjej, këtë Andreas Fritz. E kam thirr Andreasin, a ki kohë mu taku, jo kam, jo s’kam, jo anenaj, jo knenaj”, thotë ajo.

Kur Velija e kishte pyetur Fritzin se a është i interesuar ta fitojë tenderin, për dhjetë minuta ishte realizuar takimi.

Takimet me drejtuesit e OeSD-së dhe Hysni Hoxhën e OSHP-së

“M’ka thanë pritem ku je. I thash te Boro-Ramizi jam”, tregon Velija.

Dy ditë pas këtij takimi, në Kosovë kishte ardhur drejtori i kompanisë, Reihnart Gausterer.

“Jemi takuar në Hotel Prishtina. I kam thënë drejtorit gjeneral, Reihnart Gausterer, se në Kosovë tenderët shkojnë 10 për qind ryshfet, por procedurën ma të madhe ju e keni kalu, do me thanë parakualifikimi. Tash jeni në finale dhe e keni landën në OSHP”, tregon Velija detajet e bisedës.

Velija që luante rolin e sekseres, ka thënë se në atë takim u kishte thënë përfaqësuesve të kompanisë austriake OeSD që të mos paguajnë 10 për qind ryshfet, por vetëm 800 mijë euro, për shkak se ishin të kualifikuar.

Ndërkohë, ata ishin detyruar të paguanin edhe 650 mijë euro për zyrtarët e MPB-së.

“Më thanë se në rregull është. Letra që e ka shkruar nga drejtori me udhëzime se si të bëhet pagesa e ryshfetit. Letra është në EULEX sepse unë e kam dorëzuar”, shton ajo.

“800 mijë euro shkrun edhe qysh ka mu pagu pjesërisht që ka me shku pjesa e parë përmes firmës ‘FIMEX’ të Fisnik Blajakt. 200 mijë euro kanë dalë te Fisnku, po ia ka konfisku banka për një borxh. Më ato 200 mijë euro jam kusurit me austriakët, si fitim i jemi”, ka theksuar ajo, duke nënvizuar se fitimi i saj për punën ishte 200 mijë euro.

Në një takim tjetër po në “Hotel Prishtina”, Velija ka thënë se kishte takuar Andreas Fritz, drejtorin e kompanisë. Aty i kishte thënë se pse nuk i kanë treguar që firma sllovene CETIS së bashku me Ekrem Llukën ka konkurruar në tender.

Ajo firmë sipas saj, nuk ka mundur të kualifikohej fare për shkak së në Slloveni kishte falimentuar. Kishte kërkuar prej tij që të gjente letrën e falimentimit.

Velija, kishte nisur punën në terren.

Meqë rasti ishte në OSHP, ajo e kishte takuar ish-kryetarin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, të cilit ia kishte prezantuar dokumentet e falimentimit të firmës sllovene.

“I kam thanë Hysni Hoxhës, qyre Hysni Hoxha, ju jeni shef i OSHP-së, sllovenët janë të falimentuar. Që ku e keni letrën. Thash s’kanë pas drejt me konkurru. Unë e di edhe kush është prapa kësaj firme slloven. Nëse ti i shpall fitues edhe që janë ma lirë se austriakët, unë t’boj horë. Kurrë nuk të lëshoj”, ka treguar ajo.

Në atë takim kishte marrë garanci nga Hoxha se nëse firma sllovene është e falimentuar, atëherë nuk do ta fitonte tenderin.

Pas marrjes së tenderit, kishin nisur procedurat e dhënies së ryshfetit. Në radhë të parë ishin ata të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Velija thotë se Ministria e Punëve të Brendshme i ka lëshuar 800 mijë euro. Herën e parë, 200 mijë. 30 mijë euro thotë se ia ka dhënë kesh Bashkim Shalës, dhe 770 mijë euro ua ka dhënë nëpërmjet llogarive bankare.

Gazeta Insajderi ka provuar të marrë qëndrim nga zyrtarët e kompanisë OeSD, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Besnik Berisha, Fisnik Blakaj, Bashkim Shala, Natali Velija

Image

Llogaritë bankare se ku do të derdhen paratë, ka thënë se ia kishte dërguar Ergyn Dogani. Ai i kishte thënë që të shënonte në transaksione si hua. Por, kishte refuzuar. Kësisoj, për të gjitha këto pagesa, ka thënë se ishin shënuar si shërbime të kryera.

“Këta njerëz i kanë marrë paratë. Dhe më e keqja është se, edhe pse janë shpallur fajtorë edhe të tjerë, vetëm unë dhe Fisniku obligohemi t’i kthejmë paratë”, shton ajo.

“Plus, 650 mijë euro ia kam dhanë Besnik Berishës, shef i prodhimit në Ministri të Punëve të Brendshme.

Berisha, nuk është akuzuar për këtë, pasi sipas Velijat, Prokuroria nuk ka pasur vullnet t’i hetojë të tjerët.

Ajo shton se shumën e dhënë prej 650 mijë eurosh, Besnik Berisha i ka ndarë më zyrtarët tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme: Arben Osmani – drejtor i Regjistrit të Gjendjes Civile, Bekim Hoxha, Agim Fejzullahu – drejtor i Zyrës së Prokurimit në MPB dhe Abedin Mehmetin, kryeshef i Agjencisë së Regjistrimit Civil.

“Po e përsëris: 650 mijë euro janë dhënë për zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, insiston ajo.

“Bekim Hoxhës bile ja pata ble një lapotop ‘HP’, si temin edhe e di që i ka dy çika binake. Qaq jam familajrizu unë me ta, që krejt jau di senet”, thotë ajo.

Ajo thotë se Abedin Mehmeti dhe Arben Osmani kanë punuar në një zyrë me Besnik Berishën.

Ryshfeti për zyrtarët e shtetit

Ryshfeti për zyrtarët e MPB-së është dhënë, sipas saj, për të bërë lëshime për kompaninë austriake. Thuajse të gjitha kërkesat e kompanisë plotësoheshin nga MPB.

“Prej 1 milion e 400 mijë eurove që janë paguar nga MPB, 30 mijë ia kam dhënë kesh Bashkim Shalës, 650 mijë Besnik Berishës. 150 mijë i kam qit në llogari të Bujar Canollit në emër të rinovimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, 160 mijë janë paguar Doganë edhe TVSH”, saktëson ajo.

Për këto arsye unë kam kërkuar që të kryhet ekspertiza financiare, por që është refuzuar nga Prokuroria dhe Gjykata. Ajo thotë se për pjesën tjetër prej 3 milionë euro të paguara nga MPB, kanë shkuar për kompaninë austriake.

Si rezultat i ryshfetit për zyrtarë të MPB-së, Velija thotë se janë pranuar makinat, siç i quan ajo, bërllok.

Ajo tregon se dëshmitare e kishte një punëtore të saj, Albulena Jasharin, e cila në gjykim nuk ka guxuar të dëshmojë për shkak të kërcënimeve.

Në EULEX kanë refuzuar të flasin për këtë çështje. Zëdhënësja e misionit, Dragana Nikoliq – Solomon, ka thënë se rasti është i gjykuar tashmë.

“Në rastin kundër znj. Natali Velija është marrë vendimi përfundimtar duke e dënuar me 8 vjet burgim në total. Misioni nuk ka për të shtuar asgjë në atë se çka është thënë në gjykatë”, ka thënë ai.

Bashkim Shala, Bujar Canolli dhe Ministria e Punëve të Brendshme në të cilën vazhdojnë punën zyrtarët e përmendur për marrje ryshfeti, nuk janë përgjigjur ende.

Ndërkaq, Besnik Berisha ka mohuar gjithçka. Ai ka thënë se nuk është e vërtetë se ka marrë ryshfet. Ka thënë se asnjë pretendim i Natali Velijajt nuk qëndron.

“Unë nuk kam deklaruar, nëse i ka thënë ndonjë kush, i ka thanë dikush prej kabinetit, unë nuk kam mujt sepse unë nuk jam kanë ai që kom vendos për tender se as nuk jam kon menaxher i kontratës, as që i kom bo specifikat, do me thënë atë e ka bërë një komision që e ka caktuar ministri i asaj kohe dhe kabineti”, ka thënë Berisha.

Ai mohon pranimin e makinave me kapacitet më të vogël dhe pa makinat rezervë. Ka thënë se nuk e ka pasur këtë kompetencë.

“Unë nuk jam kanë kërkuesi, ato bëhen përmes komisionit që i ka bo specifikat e tenderit. Unë në atë komision nuk jam kanë, as nuk jam kanë në komision as nuk kam qenë menaxher i kontratës”, ka thënë Berisha për Insajderin.

Ka treguar kur ishin pranuar 50 mijë pasaporta të cilat ishin kontrolluar. Me kaq kishte përfunduar puna e tij. Ka thënë po ashtu se departamenti i tij nuk ka pasur kompetencë për përcaktimin e specifikave.

“Unë nuk kam mujt me ndiku asgjë aty sepse unë jam kanë krejt ‘out’”, thotë Berisha.

Nesër: Si u ndërrua dizajni i pasaportave në këmbim të 100 mijë eurove? Si u përfshi Ministria e Punëve të Brendshme në kontrabandë të pasaportave? Çfarë thonë në Doganën e Kosovës?. /Insajderi/