Mbyllet për publikun gjyqi kundër ortopedit Visar Nushi

Kronika September 21, 2017 - 11:14


Gjykimi kundër ortopedit Visar Nushi është mbyllur për publikun me vendim të gjyqtarit Kujtim Krasniqi.

Gjyqtari Kujtim Krasniqi ka vendosur pas disa seancave gjyqësore që të mbyll për publikun gjykimin ndaj ortopedit të akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor Visar Nushi, raporton rtklive.com.

Kjo pasi bëhet fjalë për një viktimë të mitur, e trajtuar nga doktori Nushi.

Por, prindërit e të miturës nuk e kanë pasur asnjë problem që seanca ku po shoshitet rasti i së bijës së tyre të jetë i hapur.

“Ne nuk na pengon që seanca të jetë e hapur”, është deklaruar prindi i të miturës i pyetur nga gjyqtari.

Po ashtu edhe pala mbrojtëse e ortopedit Nushi, avokati Gazmend Nushi, ka deklaruar se pajtohet që seancat të mbyllen për publikun.

Ndryshe, ortopedi Nushi akuzohet se gjatë dhënies së ndihmës mjekësore për të dëmtuarën – e mitur N.B., ka përdorur haptas një metodë të papërshtatshme mjekësore, raporton rtklive.com.

Nushi, sipas aktakuzës nuk e ka paraqitur gjendjen reale të shkallës së deformimit dhe nuk i ka rekomanduar pacientes me kohë mbajtjen apo përdorimin e ortozës (korsetit), ndonëse në vazhdimësi e dëmtuara në këtë periudhë kohore është trajtuar nga i dyshuari.

“Si pasojë e kësaj vjen deri te keqësimi i gjendjes shëndetësore të së dëmtuarës duke i shkaktuar devijim të rëndë të boshtit kurrizor, si dëmtim të rëndë trupor”, thuhet në aktakuzën e ngritur nga prokurori i shtetit, raporton rtklive.com.

Në anën tjetër, mbrojtja e Visar Nushit, avokati Gazmend Nushi e ka kundërshtuar aktakuzën edhe në shkallën e dytë, por Apeli ka vendosur në favor të palës së dëmtuar, duke lënë në fuqi aktakuzën ndaj Nushit.

Për këtë rast është kryer ekspertizë mjekësore me kërkesë të Prokurorisë në Gjermani për pacienten N. B.

Sipas ekspertizës ka rezultuar se ortopedi kosovar Visar Nushi ka bërë gabime gjatë matjeve të shkallës së skoliozës.

Nushi, sipas ekspertizës së kryer në Gjermani i kishte vënë pacientes diagnozë dhe terapi të gabuar, duke u bazuar në matjet e gabuara të shkallës së skoliozës, raporton rtklive.com

Në ekspertizën mjekësore të kryer nga Dr. Mattias Hovel, shef i Klinikës së Ortopedisë së Fëmijëve në Klinikën Universitare të Essenit në Gjermani ceket se vlera pas matjes së deformimit nga ana e ortopedit Visar Nushi është bërë gabimisht sikurse është ordinuar edhe terapia e gabuar.

Toleranca e rezultateve të lejuara gjatë matjeve të vlerave të skoliozës është deri në +/- 5 shkallë. Por, një pasqyrë e dhënë në ekspertizë tregon se Nushi kur kishte bërë matje në qershor të vitit 2013 ishte konstatuar një deformim prej 28 shkallësh derisa në atë kohë sipas matjeve në Klinikën Universitare në Essen të Gjermanisë deformimi kishte kaluar në 44 shkallë, duke bërë kështu një gabim në matje prej hiç më pak se 16 shkallësh, raporton rtklive.com.

“Më 5 qershor 2013 zotëri doktor Nushi mat sërish 28 shkallë, vendos kështu një diagnozë të gabuar e cila pastaj pasohet nga terapia e gabuar. Këtu tek ne, për këtë periudhë matet një cobb – kënd prej 44 shkallësh”, thuhet në ekspertizën e mjekut gjerman.

Po ashtu, aty ceket se në janar të vitit 2013, kur ortopedi Nushi kishte gjetur se shkalla e deformimit ishte 28 shkallë, është dashur të indikojë një tretman me korset. Këtë pastaj pacientja N. Berisha, sipas ekspertizës gjermane, e merr në shtator të vitit 2013 kur kishte ndodhur një deformim në shkallën 52. Në këtë fazë, sipas ekspertizës, zakonisht indikohet operacioni.

Në ekspertizën e doktorit gjerman Mattias Hovel qartësohet se për vlerësimin e skoliozës ortopedi duhet të marrë parasysh dhe të bëjë matje edhe të deformimit të pjesës lumbale. Ndërkohë që në matjet e bëra nga Visar Nushi vetëm në kontrollin e parë ishin bërë matje të kësaj pjese.