Për 8 muaj, 84 të vdekur në aksidente komunikacioni

Kronika September 19, 2017 - 08:21

Gjatë tetë muajve të parë të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës, shihet se në aksidente komunikacioni 84 persona kanë gjetur vdekjen. Në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak sivjet kemi 13 të vdekur më shumë, shkruan sot, gazeta Zeri

Vetëm nga janari e deri në fund të muajit gusht të këtij viti në aksidente komunikacioni kanë humbur jetën 84 persona, derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak si pasojë e aksidenteve në rrugë kanë gjetur vdekjen 71 persona.

Në bazë të të dhënave të Policisë së Kosovës, numri total i aksidenteve gjatë këtyre muajve ka qenë gjithsej 12.017, ku pothuajse numër i njëjtë i aksidenteve ka qenë edhe në vitin 2016, me 12776 aksidente.

Të kontaktuar nga gazeta “Zëri”, zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se është tejet shqetësuese rrija e vazhdueshme e numrit të aksidenteve me pasoja fatale. Në anën tjetër, njohës të komunikacionit thonë se janë disa faktorë që po ndikojnë në numrin e madh të aksidenteve. Sipas profesorit të Komunikacionit, Musli Bajraktari, siguria në komunikacion kohëve të fundit është mjaft e rrezikshme. Sipas tij, mosrespektimi i ligjeve të komunikacionit është njëri nga shkaktarët kryesorë të shkaktimit të aksidenteve.

“Siguria në komunikacion kohët e fundit është rrezikuar mjaft, e për këtë janë disa faktorë. E para është faktori subjektiv, vetë vozitësi, pasi që nuk po u përmbahen rregullave, e në veçanti gjatë stinës së verës. E dyta është Policia e vendit, pasi që duhen të zbatohen masat të cilat janë të parashikuara me ligje, në një mënyrë do të ndikonte në uljen e aksidenteve. E treta është faktori automjet, pasi që në vendin tonë një numër mjaft i madh i automjeteve e kalojnë vjetërsinë e tyre, pra janë mjaft të vjetruara, por që me ligjin që është shpresojmë që të këtë edhe kufizime në vitet e automjetit”, ka thënë Bajraktari për gazetën “Zëri”.

Sipas tij, për ta rritur sigurinë në komunikacion institucionet duhet t’i zbatojnë në përpikëri kriteret gjatë dhënies së patentës së shoferit. “Dhe e fundit është marrja e patentës së shoferit viteve të fundit. Në bazë të aksidenteve që po ndodhin lë të dyshosh se një pjesë e fajit është edhe mënyra sesi po merret patenta e shoferit në vendin tonë, sepse është e çuditshme se si një numër mjaft i madh i aksidenteve po ndodh pikërisht në qytete, andaj duhet të ndërmarrën masa dhe të parandalohen këto aksidente”, ka shtuar ai.

Edhe profesori i Komunikacionit në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Sadulla Avdiu, thotë se duhet të analizohen të gjitha shkaqet që po ndikojnë në këtë shifër alarmante të aksidenteve. “E para është mosrespektimi i shenjave të trafikut dhe thyerja e rregullave, çështje tjetër është edhe respektimi i ligjit nga ana e Policisë, tjetër që mund të këtë rol në këto aksidente është edhe mungesa e kontrollimeve teknike të automjeteve, por duke mos lenë anash as mënyra e marrjes së patentës së shoferit. Por që mendoj se duhet përfundimisht të merren masa dhe të analizohen çështjet se ku po ka çalime dhe ku po ka rritje të numrit të aksidenteve. Të paktën të mundohemi ta ulim këtë numër kaq të madh të të vdekurve si pasojë e aksidentit”, ka thënë Avdiu për gazetën “Zëri”.