E konfirmon policia: Në aksidentin e Nishit kanë vdekur kryetari Gradimir Mikiq dhe Sasha Aleksiq

Kronika September 15, 2017 - 15:52

Komandanti i Policisë rajonale të Komunës së Ranillugut, ka konfirmuar për Gazetën Express se në aksidentin që ndodhi në magjistralen që çon në Nish të Serbisë, kanë vdekur dy persona: kryetari i Komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiq dhe kryetari i Kuvendit Komunal, Sasha Aleksiq.

Aksidenti ka ndodhur para 2 orëve në magjistralen Nish - Leskovac, konfirmoi komandanti i Policisë së Kosovës, Nebojsha Popoviq, në rajonin e Ranillugut, nga vinin edhe Mikiq dhe Aleksiq.

Shërbimi Emergjent i Qendrës së Shëndetit në Lajkovac të Serbisë, konfirmoi se rreth orës 12:45 kanë marrë një telefonatë për aksident.

“Na treguan nga vendi i ngjarjes se një burrë është i vdekur”, kanë thënë nga qendra emergjente.

Shkaqet e aksidentit tani për tani janë të panjohura. Ndërsa të lënduar rëndë janë një burrë dhe një grua të cilët janë transportuar për në Qendrën Klinike të Nishit.