Edhe një vdekje e dyshimtë në QKUK

Kronika September 13, 2017 - 09:22

Në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës (QKUK), ditën e djeshme ka ndodhur një vdekje, e cila prej Policisë së Kosovës është cilësuar si e dyshimtë.

Rasti është konfirmuar në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, përcjellë AktivPress.

Në raport thuhet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00, kur një mashkull ka njoftuar policinë se bashkëshortja e tij e cila ishte duke u trajtuar në QKUK ka ndërruar jetë.

“Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, njofton më tej PK-ja.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës këto ditë ka qenë në qendër të raportimit të mediave për shkak të katër vdekjeve të dyshimta që kanë ndodhur brenda një dite javën e kaluar.

Ndërkaq, lidhur me rastet, dje është mbajtur një takim urgjent ku drejtori i Shërbimit Spitalor, Curr Gjocaj, ka thirrur në takim udhëheqësit e klinikave dhe është marrë vendim të krijohen komisione për të mësuar shkaqet e vdekjes së pacientëve.

Lidhur me rastet e fundit të vdekjeve të dyshimta në QKUK ka reaguar edhe drejtori ekzekutiv i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “ KISCOMS ”, Xheladin Ujkani.

Ai ka kërkuar që të bëhet një hetim i jashtëm për këto vdekje. Sipas tij, në rrethana të tilla nuk mjafton vetëm raporti i komisioneve të brendshme të formuara nga drejtori i QKUK-së, Curr Gjocaj./AktivPress