Kronika

Zyrtarja e Gjykatës punëson vajzën pa konkurs

Zyrtarja e Gjykatës punëson vajzën pa konkurs
13 shtator 2017 • 08 : 08 • autori: Lirik Kaloshi foto • zëri.info

Myrvete Halilaj, zyrtare e personelit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka punësuar vajzën në pozitën e zyrtares për statistika me kontratë të veçantë, por pa shpallur konkurs publik, transmeton zeri.info.

Marigona Halilaj-Krasniqi, vajza e zyrtares së personelit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Myrvete Halilaj, është punësuar me kontratë të veçantë si zyrtare për statistika në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndonëse me Udhëzim Administrativ pozitat e tilla nuk plotësohen me Marrëveshjen për Shërbime të Veçanta, siç ka ndodhur në këtë rast.

Në pikën 2 të Nenit 3, të Udhëzimit Administrativ 04/2016, thuhet se pozitat e nivelit profesional, administrativo-teknik, mbështetës dhe të mirëmbajtjes nuk mund të plotësohen me Marrëveshjen për Shërbime të Veçanta përveç në rrethana të jashtëzakonshme dhe të paparashikueshme, transmeton zeri.info.

Por, në bazë të dëshmive që ka siguruar gazeta “Zëri”, shihet se Halilaj-Krasniqi në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ është punësuar për 6 muaj në këtë pozitë.

Në bazë të dokumenteve të siguruara shihet se vajza e zyrtares së personelit ka aplikuar për dy vende pune me kontrata të veçanta, të shpallura nga Gjykata.

Në pozitën e punës si zyrtare e statistikave, Halilaj-Krasniqi ka marrë pikët maksimale në raport me gjashtë konkurrentët e tjerë, përderisa në pozitën tjetër si zyrtare e teknologjisë informative, në bazë të pikëve është renditur e dyta në listë, duke lënë mbrapa edhe katër konkurrentë të tjerë./Zeri/(Lexoni shkrimin e plote ne numrin e sotem te gazetes Zeri)

© zëri.info