I jepet lamtumira e fundit Bajram Rexhepit

Kronika August 23, 2017 - 08:24

Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, është përcjellë dje për në banesën e fundit me nderime të larta shtetërore. Drejtuesit e institucioneve shtetërore e kujtuan Rexhepin si burrështetasin që u përballë me sfida të mëdha institucionale, shkruan "Zëri"

Me nderime të larta shtetërore është varrosur dje në varrezat e fshatit Shipol të Mitrovicës ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi.

Ai ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 63-vjeçare, pas qëndrimit në gjendje kome për rreth katër muaj.

Në ceremoninë e varrimit të Rexhepit kanë marrë pjesë qytetarë të shumtë, personalitete shtetërore të Kosovës, si dhe përfaqësues politikë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës e të Maqedonisë, etj.

Gjatë ditës së martë, nën organizimin e Qeverisë së Kosovës, janë bërë homazhe pranë arkivolit të tij, i cili fillimisht është vendosur në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku qytetarë të shumtë për ngushëllime i kanë pritur bashkëshortja dhe vajza e të ndjerit.

Homazhe kanë bërë presidenti Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, etj.

Thaçi: Rexhepi ishte aty ku e kërkonte vendi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen komemorative, në nderim të ish-kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepit, ka thënë se në karrierën politike tredekadëshe Rexhepi ishte ndër personalitetet emblematike me virtyte të rralla në rrugën e realizimit të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.

Ai tha se Rexhepi u shqua për guxim, profesionalizëm dhe humanizëm qysh në vitet 1996, 1997 e më tej, duke shëruar luftëtarët e lirisë. 

Presidenti tha se që në ditët e para të çlirimit Bajram Rexhepi mori përgjegjësi politike, duke u bërë qytetari i parë i Mitrovicës dhe duke u angazhuar për kthimin dhe sistemimin e banorëve të dëbuar nga lufta.

“Rexhepi mori angazhime të larta shtetërore, Rexhepi ishte aty ku e kërkonte vendi, në Mitrovicë, në Bruksel, por edhe në Uashington dhe në Nju Jork”. Presidenti Thaçi ka thënë se Bajram Rexhepi kishte profil të lartë politikani, me mbështetje te qytetarët dhe me përkrahje edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Sipas tij, pas shpalljes së pavarësisë Rexhepi kreu me nder përgjegjësitë shtetërore, qoftë si kryetar komune, qoftë si ministër i Punëve të Brendshme.

“...Qytetar parimor, njeri i matur, veprimtar i urtë, politikan i moderuar dhe mjaft transparent. Atë që e mendonte, e thoshte. Ishte personalitet me integritet të lartë dhe i respektueshëm në nivel nacional”, ka thënë presidenti. Ai tha se nuk ka humbur vetëm familja njeriun e dashur, por dhe institucionet e vendit një burrështetas të shquar.

“Mençuria, urtësia dhe largpamësia e tij do të na udhëheqin në rrugën tonë për përparimin dhe forcimin e shtetit tonë. Lavdi jetës, veprës dhe emrit të dr. Bajram Rexhepit”, ka thënë presidenti.

Mustafa: Rexhepi ishte politikani më adekuat për kryeministër

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka thënë se Bajram Rexhepi ishte një personalitet me kontribut shumëdimensional dhe, sipas tij, jo për shkak të pozitave të larta shtetërore që i kreu me përgjegjësi, por për shkak të aktivitetit të tij në shërbim të jetës dhe shëndetit të njerëzve, në shërbim të çështjes kombëtare, në shërbim të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.

“Pas kontributit si mjek në frontet e luftës çlirimtare Bajram Rexhepi u konsiderua personaliteti më adekuat për të qenë kryeministër i Kosovës menjëherë pas luftës. Ai si kryeministër, së bashku me presidentin Rugova dhe kryeparlamentarin Daci, udhëhoqën tri institucionet kryesore të Kosovës në fazën e parë të ndërtimit të institucioneve, duke u ballafaquar me sfida, siç ishin protestat e marsit 2004”, ka thënë Mustafa.

Mustafa tha se Rexhepi ishte bartës edhe i pozitave të tjera shtetërore, por mbi të gjitha ishte personalitet i rëndësishëm politik dhe njeri me autoritet të madh në Kosovë.

“Ai do të mbetet në historinë më të re të Kosovës si kryeministri i dalë nga zgjedhjet e para të mbajtura pas luftës, duke lënë gjurmë të rëndësishme në ndërtimin e shtetit tonë. Për ne që e njohëm dhe punuam me të në kuadër të jetës institucionale dhe politike Bajram Rexhepi do të mbahet mend si politikan që e mban fjalën dhe të cilit mund t’i besohej, konstruktiv, i dijshëm, bashkëpunues dhe korrekt”.

Mustafa tha se Bajrami la gjurmët e tij të pashlyeshme në institucionet më relevante të Kosovës, në kohë shumë të ndjeshme dhe të rëndësishme të shtetndërtimit.

“Si kryeministër dhe si deputetë, si ministër i Punëve të Brendshme dhe si kryetar i Komunës që në mënyrën më karakteristike bart gjurmët e luftës së fundit në Kosovë, si mjek dhe humanist në luftë dhe në paqe, si njeri që kapërceu bindjet e tij politike për të komunikuar dhe për të gjetur bashkëpunim në fillet e ndërtimit të shtetit të Kosovës, njeri që e deshi jetën, familjen e vetë dhe vendin e tij. Andaj, ndarja nga jeta e Bajram Rexhepit është humbje e madhe për familjen, për miqtë, për bashkëveprimtarët dhe para së gjithash edhe për Kosovën”, tha mes të tjerash Mustafa.

Veseli: Rexhepi, shembull si punohet për atdheun

Ndërkaq fëmija i vetëm i ish-kryeministrit Bajram Rexhepi, vajza e tij, Vanesa, në fjalimin e saj në mbledhjen komemorative ka falënderuar të gjithë qytetarët për ngushëllimet që ia kanë bërë.

Ajo ka thënë se dhimbja nuk është aspak e lehtë, mirëpo që këtë dhimbje do ta përballojnë me virtytet e larta që kishte ai (Rexhepi).

Vanesa Rexhepi në emër të familjes Rexhepi ka falënderuar edhe institucionet shtetërore, të cilat u përkujdesën edhe për shërimin e tij, por edhe për ceremoninë shtetërore të varrimit.

Me qindra banorë të Mitrovicës i kanë bërë homazhe Rexhepit edhe në Mitrovicë, në shtëpinë e Kulturës ku arkivoli i tij ka qëndruar po ashtu rreth tri orë. Pas homazheve arkivoli me trupin e tij është përcjellë për në banesën e fundit në varrezat e fshatit Shipol.  

Në ceremoninë e varrimit kryeparlamentari dhe kryetari i PDK-së, Kadri Vesli, tha se ka humbur një njeri me vlera të mëdha njerëzore. Veseli theksoi se ish-kryeministri i Kosovës do të mbetet shembull se si punohet për atdheun.

“Bajram Rexhepi ishte dhe do të mbetet shembull se si punohet për atdheun. Bajram Rexhepi ishte dhe do të mbetet simbol i qytetit të Mitrovicës”. Veseli ka thënë se Rexhepi do të mbetet referencë për gjeneratat e reja, të mjekëve dhe të politikanëve.

Ndërkaq Agim Bahtiri, kryetar i Mitrovicës, tha se Rexhepin e ka njohur në kohërat më të vështira si mantelbardhë.

“Rexhepi ishte një njeri që ka dëshiruar lirinë dhe bashkimin e këtij vendi”, tha ai. Bahtiri tha se Rexhepi ishte edhe njeri i unitetit, i cili bëri shumë për vendin.

“Rexhepi e deshi Mitrovicën, u ndihmoi edhe mitrovicasve si kirurg, për ushtarët e lirisë dhe qytetarët e saj”, tha ai. Si kryetar i Mitrovicës Bahtiri ka njoftuar se rrugës nga liqeni akumulues do t’i vihet emri ‘Bajram Rexhepi’”.

Ish-kryeministri Rexhepi ndërroi jetë të hënën në Turqi, në moshën 63-vjeçare.

Ai në muajin prill pësoi sulm në tru, prej kur ndodhej në komë. Pas trajtimit disaditor në Kosovë Rexhepi ishte dërguar për trajtim në një spital turk.

 

Image

Image

Image

Image

Image

Image