Aktivistët e VV-së lirohen nga arresti shtëpiak

Kronika August 22, 2017 - 16:45

Katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të akuzuar për sulmin kundër Kuvendit të Kosovës tani e tutje do të mbrohen në liri.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka ndërprerë masën e arrestit shtëpiak ndaj të akuzuarve për terrorizëm: Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti, duke aprovuar kështu kërkesat e avokatëve mbrojtës.

Këtë e ka konfirmuar avokati mbrojtës Tomë Gashi në profilin e tij në “Facebook”.

“Në seancën e mbajtur sot më 22.08.2017, Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar katër aktivistët e Lëvizjës VETËVENDOSJE ! Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti nga arresti shtëpiak, respektivisht nga paraburgimi”, shkroi Gashi.

Këtë vendim trupi gjykues e ka marrë në përfundim të seancës së sotme në të cilën aktivistët pasi dëgjuan leximin e aktakuzës u deklaruan të pafajshëm.

Gjatë kësaj séance po ashtu u dha fjala hyrëse ndërsa pjesa e gjykimit ku u dëgjua dëshmitari i ftuar nga prokuroria u mbyll për media dhe publikun.

Seanca e radhës pritet të  mbahet më 25 gusht 2017 në ora 10:00.