Nesër nis gjykimi ndaj katër aktivistëve të VV-së

Kronika August 21, 2017 - 15:12

Avokati Tomë Gashi ka bërë të ditur se nesër në orën 9.00 fillon gjykimi ndaj katër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar shqyrtimin kryesor për katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti për datën 22 gusht 2017. Këta janë akuzuar pa asnjë provë kredibile, kinse për rastin e sulmit të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës”, ka njoftuar Gashi.

Sipas tij, akuzat ndaj aktivistëve të VV-së, janë inskenim, dhe se kjo është vërtetuar me zgjedhjen e Frashër Krasniqit deputet në Kuvendin e Kosovës.

“Se populli nuk i beson këtij inskenimi, më së miri vërtetohet edhe me faktin se Frashër Krasniqi nga arresti shtëpiak në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit 2017, është zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.